Zjarri shkrumboi skenën kryesore të Tomorrowland: Organizatorët nisin ndërtimin e një të reje para hapjes së festivalit këtë fundjavë

Organizatorët e Tomorrowland në Belgjikë po përpiqen të ndërtojnë një skenë të re kryesore pas një zjarri shkatërrues që dogji platformën origjinale vetëm pak ditë përpara fillimit të festivalit. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mbrëmje në qytetin Boom, në jug të Antwerpit, pa shkaktuar viktima, ndërsa autoritetet lokale e kanë shpallur zonën të sigurt. Zëdhënësja e festivalit, Debby Wilmsen, deklaroi se shpresojnë të kenë gati një “skenë të re dhe të këndshme” deri të premten, kur festivali është planifikuar të hapet me një vonesë prej dy orësh.

Në rast se nuk përfundojnë ndërtimin në kohë, festivali do të hapet të premten me kapacitet të reduktuar, ndërsa performancat e planifikuara për skenën kryesore do të zhvendosen përkohësisht në Skenën e Gathering në kampingun Dreamville. Ndërkohë, kampuesit nuk do të kenë akses në ambientet e tjera të festivalit deri në zgjidhjen e situatës.

Rreth 400,000 njerëz pritet të marrin pjesë gjatë dy fundjavave të festivalit elektronik, me mijëra tashmë të vendosur në Dreamville. Në mesin e artistëve të mëdhenj që do të performojnë janë David Guetta, Lost Frequencies, Swedish House Mafia dhe Charlotte De Witte.

Pamjet nga zjarri treguan tym të dendur që përfshinte strukturën madhështore, ndërsa dëshmitarët përshkruan momente paniku dhe një atmosferë “apokaliptike”. “Papritmas dëgjuam shpërthime dhe pamë një sasi të madhe zjarri pranë skenës. Katër javë punë u shkatërruan për gjysmë ore”, tha një punonjës për gazetën lokale.

Ndërkohë, fansat janë të vendosur të mos lejojnë që incidenti t’ua zbehë përvojën. “Ky është Tomorrowland im i katërt dhe duket pak më ndryshe. Është më qetë, por do ta shijojmë gjithsesi”, tha për BBC-në britaniku Bradley Cooper-Barnard, i cili ka udhëtuar nga Londra me miqtë e tij.

Në një postim emocional në Instagram, organizatorët shprehën dhimbjen e tyre për humbjen e skenës kryesore Orbyz, duke e përshkruar atë si “një botë e gjallë që merrte frymë”. Takime emergjente janë zhvilluar me autoritetet për të garantuar sigurinë dhe vijimin e festivalit, ndërsa 14 skenat e tjera, më të vogla në përmasë, janë gati për të pritur spektaklin e shumëpritur.