Gentian Kaprata: Reforma administrative e Ramës ka dështuar, qytetarit iu mor pushteti

I ftuar në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, urbanisti Gentian Kaprata ka kritikuar ashpër reformën administrative-territoriale të qeverisë, duke e cilësuar si të dështuar dhe si një mashtrim të decentralizimit.

Sipas tij, vetë kryeministri Edi Rama ka pranuar dështimin e reformës duke kërkuar ta rishikojë atë brenda më pak se një decade, një fakt që në vende të tjera ndodh rrallë, pasi ndarjet territoriale janë të qëndrueshme për qindra vjet. Kaprata theksoi se, ndryshe nga premtimi për t’i afruar pushtetin qytetarëve, ndodhi e kundërta: qytetarëve iu mor pushteti.

“Kjo së pari do të thotë që vetë kryeministri pranoi që reforma e tij administrative-territoriale ka dështuar. Ne i kemi thënë prej vitesh që ka dështuar. Kjo do të thotë që të thuash brenda 1 dekade që reforma administrative–territoriale ka dështuar, pra praktikisht e ka pranuar. Shtetet e tjera reformat territoriale i kanë me qindra vjet, që kur është formuar shteti. Në kuptimin gjeografik, njësitë e ndarjes gjeografike dhe të juridiksionit janë bërë para qindra vjetësh.

Në këtë kuptim një reformë administrative–territoriale prej vërteti qëndron për një kohë shumë të gjatë. Fakti që ai dëshiron ta bëjë përsëri e pranon dhe vetë pa e thënë me gojë që ka dështuar. Unë personalisht dhe shumë të tjerë si unë e kemi pranuar që kur u bë kjo reformë që do të dështonte. Megjithëse u tha se do të ishte një reformë deçentralizuese, pra çuarjen e pushtetit tek qytetari. Ndodhi e kundërta, pra qytetarit iu mor pushteti. Kjo është një mbyllje e një epoke për zotin Rama.” – tha Kaprata.