'Paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën kundër opozitës'/ Koka: Dokumenti i Kongresit konfirmon akuzat e Berishës për kapjen e drejtësisë
Gjatë emisionit “Task Force” në SYRI TV, moderuar nga Sonila Meço, gazetari Bled Koka deklaroi se raporti i publikuar në faqen zyrtare të Kongresit Amerikan konfirmon akuzat liderit të opozitës Sali Berisha për një rrjet ndikimi në drejtësinë shqiptare.
Sipas Kokës, Berisha kishte paralajmëruar dy vite më parë, në një konferencë për shtyp, për ekzistencën e organizatës “East West”, me qendër rajonale në Shkup dhe drejtuar nga zonja Delina Fico, e njohur për lidhjet e saj me fondacionin Soros dhe me pushtetin.
Gazetari tha se dokumenti i Kongresit nuk është një material i thjeshtë shoqate, por një raport zyrtar i filtruar dhe konspektuar, i cili tashmë po shërben si bazë për hetime të mëtejshme.
Koka deklaroi se kopja e raportit është siguruar nga Syri.net në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Raporti përmend një shumë prej 240 milionë eurosh, të cilat pretendohet se janë fonde të taksapaguesve amerikanë të përdorura për të mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri, por edhe si “mjet intimidimi” ndaj kritikëve të procesit.
Po sipas gazetarit, Heritage Foundation – një ndër institucionet më me ndikim kur Partia Republikane është në pushtet – ka analizuar raportin dhe arrin në përfundimin se fondet janë përdorur për të “kapur” sistemin gjyqësor, për të goditur opozitën dhe për të forcuar pushtetin e mazhorancës së majtë.
“Kemi të bëjmë me konfirmimin zyrtar të një denoncimi që dikur dukej i pabesueshëm,” theksoi Koka, duke shtuar se dokumenti rrit peshën politike dhe ligjore të pretendimeve të Berishës për ndikim politik në drejtësinë shqiptare.
Më tej, gazetari e konsideroi publikimin e raportit “një ngjarje shumë të rëndësishme” që mund të hapë një kapitull të ri në debatin mbi transparencën e reformës në drejtësi dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë në proces.
Koka:
Gati 2 vjet më pas zoti Berisha doli në një konferencë për shtyp dhe foli për organizatën, East West,
e cila qendrën rajonale e kishte në Shkup dhe si drejtuese kryesore kishte zonjën Delina Fico, e cila njihet për qasjen e saj etj etj, lidhjet me Soros, lidhjet me pushtetin.
Dokumenti gjendet në faqen e Kongresit Amerikan, nuk është thjesht një dokument i një shoqate që është publikuar.
Ky dokument është siguruar nga Syri.net dje, mos gaboj, në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Pra, është një dokument i cili është konspektuar, është filtruar dhe është marrë dhe është futur në analizën dhe në analet e asaj që duhet të jetë pastaj edhe hetimi i mëtejshëm për të kuptuar.
Dhe çfarë na thotë, na konfirmon pikërisht atë që zoti Berisha na tha para 2 vitesh, dhe me thënë të drejtën dje ishte pak si e pabesueshme.
Zoti Berisha i tha opinionit publik që “shiko, kemi një organizatë që kontrollohet nga zonja Delina Fico dhe raportet e Ficos me pushtetin dihen fare mirë, që do të marrë në dorë të gjithë sistemin e drejtësisë”.
Ndërkohë, raporti shkon edhe më tej dhe thotë se ky proces, 240 milionë eurot e famshme, që i kemi thënë shpesh, paratë e taksapaguesve amerikanë, dhe kjo është përdorur si një term intimidues për ata që kundërshtonin reformën në drejtësi.
E vërteta është që po, ato janë paratë e taksapaguesve amerikanë.
Sot minimalisht kemi konfirmimin e saj që u duk si një denoncim shumë i fortë dhe gati në kufijtë e të pabesueshmes që bëri zoti Berisha para 2 vjetësh, një denoncim i cili sot nuk është më thjesht një deklaratë e një lideri të opozitës në një vend të humbur i Shqipëria, por një dokument serioz mbi të cilin Heritage Foundation, i cili është një nga fondacionet më të rëndësishëm që ndikojnë jo pak herë edhe vendimmarrjen, aq më tepër kur në pushtet është Partia Republikane në SHBA, e cila na konfirmon që po, paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur në Shqipëri për të kapur reformën në drejtësi, për të goditur opozitën dhe për t’i dhënë pushtetin përdhunimtar, që është pushteti gjyqësor – po e quajmë kështu – një mazhorancë e cila është e majtë dhe një mazhorancë e cila e përdorte jo për qytetarët por kundër qytetarëve dhe kundër opozitës.
Realisht mendoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme.