SYRI TV/ Zhupa kundër rrëmbimit të mandatit të Gjidedës: ‘Vendim politik I socialistëve në Këshill’

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, denoncoi rrëmbimin e mandatit të këshilltares demokrate në Bashkinë e Sarandës, Edlira Gjidede. Sipas Zhupës, shumica socialiste në Këshillin Bashkiak ka marrë një vendim të paprecedentë për t’i ndërprerë mandatin Gjidede-s, me pretendimin se ndodhet në konflikt interesi, edhe pse institucionet përgjegjëse kanë konfirmuar se ajo nuk ndodhet në kushte që përbëjnë pengesë për ushtrimin e detyrës. Zhupa i kërkoi KQZ-së të mos bëjë zëvendësimin e vakancës deri në një vendim të Gjykatës.

Deputetja Ina Zhupa dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Marash Logu, kundërshtuan rrëmbimin e mandatit të këshilltares demokrate Edlira Gjidede. Në seancën publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për plotësimin e vakancës në Këshillin Bashkiak të Sarandës, Zhupa deklaroi se vendimi i shumicës socialiste në këtë këshill për t’i hequr mandatin Gjidede-s, me arsyetimin se është në konflikt interesi për shkak se punon në sistemin arsimor, është i paprecedentë dhe antiligjor.

Ajo sqaroi se të vetmet institucione që kanë kompetencë për të konstatuar konfliktin e interesit janë KQZ dhe ILDKPKI, dhe të dyja këto institucione kanë konfirmuar se Gjidede nuk ndodhet në kushte që e ndalojnë nga ushtrimi i detyrës si këshilltare bashkiake. Zhupa i kërkoi KQZ-së të mos kryejë zëvendësimin e mandatit, por të presë vendimin e Gjykatës, pasi Partia Demokratike ka ankimuar çështjen.

Pas paraqitjes së argumenteve nga Zhupa, Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi që në KQZ të depozitohet vërtetimi i kërkesë-padisë që dëshmon nisjen e procedurës gjyqësore për këtë çështje, duke shtyrë vendimmarrjen për zëvendësimin e vakancës në seancën e radhës.