Trump flet për tarifat: Jemi shumë afër një pakti me Indinë, presidenti amerikan paralajmëron marrëveshje edhe me BE-në
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare me Indinë, ndërsa paralajmëroi se një marrëveshje e ngjashme me Bashkimin Evropian mund të arrihet së shpejti.
Në një intervistë radiofonike për Real America’s Voice, Trump tha se administrata e tij është e fokusuar në negocimin e kushteve më të favorshme për SHBA-në, me synim uljen e deficitit tregtar.
“Ne jemi shumë afër me Indinë… dhe mund të arrijmë një marrëveshje me BE-në,” deklaroi Trump, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka qenë i ashpër, por tani po tregon vullnet për bashkëpunim.
Komentet e Trump u bënë në një kohë kur Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, ndodhet në Uashington për të diskutuar çështjet e tarifave, ndërsa një delegacion indian ka mbërritur në SHBA për raunde të reja negociatash, raporton Reuters.
Kanadaja dhe tarifat për vendet më të voglaI pyetur për një marrëveshje të mundshme me Kanadanë, Trump tha se është “shumë herët për të folur për këtë”, duke shtuar gjithashtu se po shqyrton vendosjen e një tarife të përgjithshme prej 10% ose 15% për vendet më të vogla.
Presidenti shpalli vendosjen e tarifave prej 27% për produktet indiane më 2 prill, si pjesë e një politike më të gjerë tregtare. Tarifat u pezulluan fillimisht deri më 9 korrik, por më pas u shty afati deri më 1 gusht.
Sipas të dhënave zyrtare, SHBA ka qenë partneri më i madh tregtar i Indisë, me një shkëmbim dypalësh që kap vlerën e 190 miliardë dollarëve. Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vendosur si objektiv dyfishimin e kësaj shume në 500 miliardë dollarë.