Juventusi nuk dorëzohet për Hjulmand, mesfushori jep "OK"-in për transferimin

Juventusi vazhdon të ndjekë me ngulm mesfushorin e Sporting Lisbonës, Morten Hjulmand, dhe sipas të përditshmes italiane, ‘Corriere dello Sport’, lojtari danez tashmë ka dhënë pëlqimin për transferimin te “Zonja e Vjetër”, duke rënë dakord edhe për pagën personale me klubin torinez.

26-vjeçari, i cili u largua nga Lecce në verën e vitit 2023 për të kaluar te Sportingu, dëshiron të rikthehet në Serinë A dhe Juventusi po tenton të shfrytëzojë këtë dëshirë për të ulur çmimin e operacionit. Mesfushori është objektivi kryesor i bardhezinjve për të përforcuar repartin qendror të skuadrës.

Sporting CP, nga ana tjetër, e sheh Hjulmand si simbolin e ri të projektit të klubit dhe nuk ka ndërmend ta shesë për më pak se klauzola prej 80 milionë eurosh e përcaktuar në kontratën e tij, që është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028. Megjithatë, largimi i trajnerit Ruben Amorim drejt Manchester United mund të luajë rol vendimtar në zhvillimin e situatës.

Raportimet sugjerojnë se Hjulmand e kishte pranuar klauzolën e lartë të largimit vetëm për shkak të besimit dhe admirimit të tij për trajnerin Amorim. Tashmë që tekniku portugez nuk ndodhet më në Lisbonë, futbollisti konsideron se një rishikim i çmimit është i arsyeshëm, me vlerësime që mund të bien në intervalin 30 deri në 40 milionë euro.

Në sezonin 2024/2025, Hjulmand ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Sportingut, me 28 ndeshje, 2 gola, 2 asistime dhe 2450 minuta në fushë, duke fituar statusin e kapitenit dhe liderit të mesfushës.

Për momentin, palët mbeten larg në pritshmëri, por dëshira e lojtarit për t’u bashkuar me Juventusin mund të bëhet katalizatori i një transferimi të rëndësishëm në këtë merkato vere.