Skriniar pranë zyrtarizimit te Fenerbahçe, PSG përfiton 10 milionë euro, Mourinho mbështetet te lideri i mbrojtjes
Eksperienca e Milan Skriniar te Paris Saint-Germain duket se ka përfunduar. Mbrojtësi sllovak, i cili iu bashkua PSG-së dy vite më parë me parametër zero nga Interi, nuk ka arritur të bindë trajnerin Luis Enrique, i cili nuk e ka parë asnjëherë të përshtatshëm për sistemin e tij të lojës: i ngadaltë dhe pak efektiv në ndërtimin nga prapavija.
Pas një periudhe në hije, Skriniar u huazua te Fenerbahçe në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, ku gjeti menjëherë hapësira nën drejtimin e José Mourinhos, duke grumbulluar 23 paraqitje mes kampionatit dhe Kupave.
Sipas raportimeve të shtypit turk, lojtari dhe klubi nga Stambolli kanë arritur një marrëveshje për kushtet e kontratës, ndërsa ende pritet të përfundojnë detajet mbi mënyrën e pagesës me PSG-në, i cili kërkon të arkëtojë nga ky transferim. Sipas "FotoMaç", shuma e transferimit do të jetë rreth 10 milionë euro.
Ky largim shënon një rënie të ndjeshme në karrierën e mbrojtësit 30-vjeçar, i cili la një gjurmë të pashlyeshme te Interi me 246 paraqitje, një titull kampion në Serinë A, dy Kupa Italie dhe dy Superkupa. Në Paris, në të kundërt, ai humbi shpejt vendin në formacion, sidomos pas ardhjes së Willian Pacho-s, dhe në sezonin 2024/2025 luajti vetëm 5 ndeshje në Ligue 1.
Tashmë, Turqia duket se i ofron atij një mundësi për t’u rilindur dhe për të rikthyer karrierën në rrugën e duhur.