Të rinj nga Shqipëria në Itali për të shitur drogë për 3 muaj me 3 mijë euro paga! 11 të arrestuar, 7 në kërkim

11 shqiptarë janë arrestuar pasi akuzohen si pjesë e një organizate të kultivimit dhe trafikimit të drogës në Itali. Operacioni u ndërmor në orët e para të mëngjesit kur forcat e policië ekzekutuan urdhrat e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Asti-t.

Ata akuzohen, për trafik, prodhim dhe kultivim të lëndëve narkotike, si dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Ndërkohë, 7 persona të tjerë – po ashtu shqiptarë – janë në kërkim ndërkombëtar

Operacioni shënon përmbylljen e një hetimi të nisur në tetor të vitit të kaluar, me emrin e koduar “Djali”, i cili ka çuar në zbardhjen e veprimtarisë së tre grupeve kriminale:

Dy prej tyre ishin të përqendruara në shitjen me pakicë të kokainës në Cuneo.  Operacioni u quajt ‘Djali’ pasi grupi rekrutonte të rinj shqiptarë të moshës 20-25 vjeç, të cilët silleshin në Itali me vizë turistike 90-ditore dhe më pas përdoreshin si shpërndarës droge, me pagesë mujore rreth 3000 euro plus ushqim dhe strehim. Pas skadimit të vizës, ata ktheheshin në Shqipëri dhe zëvendësoheshin me persona të tjerë, duke ruajtur një qarkullim të vazhdueshëm që i ndihmonte të shmangnin identifikimin nga autoritetet.

Ky mekanizëm “turn-over” ishte kthyer në një mekanizëm të përhershëm, i cili pengonte identifikimin e anëtarëve të rrjetit.

Të ardhurat e përditshme të grupeve arrinin mbi 1000 euro, të cilat dërgoheshin në Shqipëri përmes transportuesve të linjës Itali-Shqipëri.

Grupi i tretë ishte specializuar në kultivimin e ‘indoor”(shtëpi bari) të kanabisit, me plantacione në disa zona të veriut të Italisë, që gjeneronin të ardhura milionëshe. Gjatë hetimeve, janë zbuluar plantacione të mëdha të fshehta, duke sekuestruar mbi një ton marijuanë të përgatitur për treg dhe bimë kanabisi, me një vlerë të përafërt tregu prej rreth 1.5 milionë euro.

Anëtarët e këtij grupi, të gjithë shqiptarë, ishin të përfshirë në këtë veprimtari prej vitesh dhe përdornin pajisje të sofistikuara për rritjen dhe përpunimin e bimëve, duke u konsideruar profesionistë të fushës dhe konsulentë për rrjete të tjera kriminale që merren me kultivimin e narkotikëve.

Struktura e rrjetit ishte ndërtuar sipas një modeli të ngjashëm me atë të një kompanie legale, me punonjës që rekrutoheshin për disa muaj dhe më pas zëvendësoheshin periodikisht.

Gjatë kontrolleve në banesat e të ndaluarve, janë sekuestruar gjithashtu 800 gram kokainë dhe 15 mijë euro cash, shkruan media italiane