Inceneratori - Perfundon shqyrtimi gjyqësor për akuzën ndaj Bllakos/ Vendimi shpallet me 23 korrik
Gjykata e Posaçme e Apelit ka përfunduar shqyrtimin gjyqesor dhe është tërhequr për vendim në një datë tjetër mbi kërkesën e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako që u dënua për aferën e inceneratorit të Tiranës me 4 vite burg.
Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj, njofton se, "në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Bllakos, si dhe vetë ky i fundit, i cili kërkoi pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuzë e tillë".
Por, SPAK i kërkoi shkallës së dytë të gjyqsorit që të qëndrojë në fuqi vendimi i GJKKO, sepse Alqi Bllako është funksionar i lartë.
Pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e prokurorëve dhe kërkesën e avokatëve të Bllakos, caktuan datën 23 korrik për të shpallur vendimin për ish deputetin socialist.
Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në 11 mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim i cili zbriti në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar. Ai u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.
Ish deputeti është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të parë.