'50 mijë euro të mbyllim gojën...' Roli i dy shqiptarëve në vrasjen e profesorit polak! Ish-gruaja organizatorja

Ish-gruaja e një profesori polak, i cili u vra në mënyrë brutale në një rrugë të Athinës, akuzohet për organizimin e vrasjes së tij, ndërsa partneri i saj aktual dyshohet për kryerjen e atentatit.

Przemysław Jeziorski, lektor i ekonomisë në një universitet prestigjioz amerikan, u qëllua pesë herë në mes të ditës pranë shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij në një periferi veriore të Athinës, më herët këtë muaj.

Sipas raporteve, ish-gruaja greke e Jeziorskisë, 43 vjeçe, ka mohuar përfshirjen në vrasje. Por partneri i saj, gjithashtu grek, dyshohet se ka pranuar përfshirjen në ngjarje, së bashku me dy shtetas shqiptarë dhe një bullgar, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë.

Të gjithë pesë janë arrestuar dhe pritet të dëshmojnë para prokurorëve të enjten, 17 korrik.

Çifti i mëparshëm, i cili kishte jetuar së bashku në Shtetet e Bashkuara para ndarjes, ishte përfshirë në mosmarrëveshje të gjata për kujdestarinë e dy djemve dhe për çështje financiare të lidhura me bizneset në SHBA, sipas raporteve.

Jeziorski, i cili punoi mbi një dekadë në një shkollë biznesi në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, u qëllua pak metra larg shtëpisë së ish-gruas së tij, ndërsa po shkonte t’i takonte atë dhe fëmijët, një çift binjakësh.

Raportet tregojnë se tre plumba të qëlluar nga një pistoletë ruse e tipit Tokarev e goditën në qafë dhe gjoks.

Pas arrestimit, autori dyshohet se pranoi se kishte blerë armën në zonën e njohur Omonia në Athinë para se të kryente vrasjen.

Policia e ndoqi grupin duke përdorur pamjet nga kamerat e sigurisë dhe regjistrimet e telefonave celularë, duke rrëzuar përpjekjen e vrasësit për të krijuar alibi dhe për t’u distancuar nga vendi i ngjarjes.

Dyshohet se dy shqiptarët dhe bullgari ndihmuan autorin duke siguruar makinën e arratisjes një Porsche Cayenne dhe mbështetje të tjera logjistike.

Të huajt i thanë policisë se nuk dinin për qëllimin për të vrarë Jeziorskin, ndërsa shqiptarët kërkuan 50,000 euro nga autori për të heshtur rreth ngjarjes.

Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga SHBA, ku Jeziorski kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij, duke u bërë ekspert i marketingut. Haas School of Business e përshkroi atë si një mësues me pasion, i cili mësoi analizën e të dhënave tek mbi 1,500 studentë gjatë 13 viteve.

Dekania e shkollës tha se komuniteti do ta ndjejë mungesën e tij dhe u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve.

Profesori Zsolt Katona e përshkroi Jeziorskin si një mik dhe koleg të mrekullueshëm, babai i dashur i dy fëmijëve, me ndikim të madh në marketing, optimist dhe skeptic i shëndetshëm.

Jeziorski u rrit në Gdynia, Poloni, studjoi në Warsavë, pastaj në SHBA, ku mori doktoraturën në Stanford Graduate School of Business në 2010 dhe u bashkua me Haas School of Business në 2012 si Profesor Asociuar i Marketingut.

Vëllai i tij më i vogël tha se ishin si binjakë dhe kuptonin njëri-tjetrin pa fjalë, duke ndarë dashurinë për muzikën metal dhe filmat sci-fi, shkruajnë mediat.