'Vajzat e showbizit në botën e krimit'/ Ferhati: Eskortat dhe privilegjet në burgjet shqiptare, kërcënim për sigurin
Eskortat tashmë po hyjnë edhe në burgjet shqiptare, ku vajza të njohura të showbizit zhvillojnë takime speciale me të burgosur të botës së krimit. Skandali i fundit në burgun e Drenovës zbulon një realitet shqetësues në sistemin penitenciar shqiptar.
Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, theksoi se ky fenomen, përtej jehonës në media, cenon sigurinë dhe integritetin e burgjeve, duke u shndërruar në një problem serioz për drejtësinë në vend.
Ai shtoi se lidhjet e ngushta mes vajzave të showbizit dhe personave të botës së krimit, si brenda ashtu edhe jashtë mureve të burgut, janë pjesë e një dukurie që po merr përmasa shqetësuese dhe që shpesh lehtësohet nga korrupsioni brenda institucioneve penitenciare.
Pjesë nga deklarata:
Ka një interes të shtuar, megjithatë unë e kam cilësuar këtë jehonë më shumë si një lajm showbiz. Por duhet të kemi parasysh se është një lajm që cenon sigurinë në një sistem shumë delikat. Në të kaluarën kemi pasur ngjarje të rënda brenda burgjeve në vend, dhe aq më tepër brenda burgjeve të sigurisë së lartë. Ketu i referohem ngjarjes së Peqinit.
Unë e kam lidhur këtë lloj fenomeni me vajzat e showbiz-it që frekuentojnë burgjet tona, si një vazhdimësi e asaj që kemi konstatuar më parë. Duam apo jo, rezulton se vajzat tona kanë lidhje me personazhe të botës së krimit, si brenda ashtu edhe jashtë burgjeve, me persona të krimit. Emrat e tyre kanë dalë në momentin që kemi analizuar dosjet, dhe këta emra kanë qenë aty.
Ky është një fenomen që ndodh edhe jashtë vendit, në Britaninë e Madhe, ku është bërë jehonë se si vajzat shqiptare kanë krijuar marrëdhënie intime me gardianët e burgut. Gjithashtu, kemi parë në burgje të tjera ku shqiptarët janë një problematikë e shtuar sa i përket futjes së sendeve të paligjshme brenda regjimit të brendshëm të burgjeve.
Në Shqipëri është një fenomen që po del në sipërfaqe dhe po diskutohet, por që ka qenë dhe do të jetë. Është e pamundur të kontrollosh rreth 5 mijë të dënuar, dhe jo të gjithë kanë mundësi të krijojnë këto takime speciale të pa-lejuara, por ato që kanë lidhje martese, bashkëjetese apo marrëdhënie të ngushta me personat përkatës, kanë mundësi që stafi t’u mundësojë këto takime.
Çështja është se personazhe të botës së krimit dyshohet se, kundrejt ryshfetit, kanë bindur drejtuesit e burgjeve për të krijuar këto privilegje dhe akses të paligjshëm.
Vetëm pak kohë më parë, në një burg të sigurisë së lartë, u fut një armë në burgun e Peqinit dhe u krye një vrasje. Po bëhet një verifikim i të gjithë karteleve të burgjeve për të parë nëse ky është një fenomen i përhapur, apo kemi të bëjmë me raste të izoluara, si burgu i Peqinit apo Rec, ku ka persona të botës së krimit.