A mundet që heqja e dy festave kombëtare ta shpëtojë Francën nga mali i borxheve?

Kryeministri i Francës, François Bayrou, ka ndezur një debat të ashpër publik dhe politik pas propozimit të tij për të anuluar dy festa kombëtare – të Hënën e Pashkëve dhe 8 Majin – me qëllim për të përmirësuar financat publike të vendit.

Propozimi, i bërë publik të martën, u prit menjëherë me kundërshtime nga e majta dhe e djathta populiste, ndërsa centristët dhe e djathta tradicionale shprehën mbështetje të rezervuar.

Në një vend me traditë të thellë protestash dhe sensibilitet të lartë ndaj të drejtave të punëtorëve, ideja për të detyruar qytetarët të punojnë dy ditë më shumë në vit pa pagesë shtesë është konsideruar shumë e vështirë për t’u pranuar. Bayrou argumenton se ky ndryshim do të ndihmonte në rritjen e produktivitetit dhe në uljen e borxhit publik që aktualisht arrin në 3.3 trilionë euro.

Megjithëse perceptimi ndërkombëtar shpesh i përshkruan francezët si “të dhënë pas pushimeve”, realiteti është ndryshe: Franca ka 11 festa zyrtare – një numër në përputhje me vende të tjera si Gjermania dhe SHBA-ja. Për më tepër, sipas statistikave, produktiviteti francez është 18% më i lartë se ai i Mbretërisë së Bashkuar.

Nuk është hera e parë që në Francë shtrohet ideja e heqjes së festave kombëtare. Në vitin 2003, pas valës fatale të të nxehtit që mori mijëra jetë, qeveria e atëhershme konservatore shndërroi të Hënën e Bardhë në Ditë Solidariteti, ku punëtorët punonin pa pagesë dhe të ardhurat shkonin për fondet e ndihmës sociale. Ndërkohë, në vitin 1959, edhe Charles de Gaulle anuloi 8 Majin si festë, duke e rikthyer vetëm në vitin 1981 presidenti socialist François Mitterrand.

Edhe pse e mbështetur nga precedentë historikë, ideja e Bayrou duket se nuk ka gjasa të bëhet realitet. Ai drejton një qeveri pa shumicë në parlament dhe është praktikisht i pafuqishëm për të kaluar reforma të tilla përçarëse. Megjithatë, ky status i ka dhënë atij hapësirën për të thënë të vërtetën e tij për gjendjen financiare të vendit. “Çdo sekondë që kalon, Franca merr 5,000 euro borxh të ri,” tha ai, duke sugjeruar se mënyra e jetesës – dhe puna – duhet të rimendohet./ BBC - Syri.Net