SYRI TV/ Rama i fali portin e Durrësit Boeri dhe ortaku i Alabarit në hetim nga prokuroria e Milanos

Veç Stefano Boerit, arkitektit të preferuar të Edi Ramës, në hetim nga Prokuroria e Milanos për abuzimet dhe korrupsionin me projektet urbanistike është dhe biznesmeni i njohur italian Manfredi Catella, pronari dhe CEO i grupit Coima.

Kjo kompani ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në Itali me kompaninë Eagle Hills të biznesmenit Muhamed Alabbar, të cilin Rama e ka shpallur investitor strategjik dhe po ndërton Durrës Yacht Marina, pasi Rama i fali tokën publike Portin e Durrësit.

Arkitekti i “Tirana 2030”, Stefano Boeri, i njohur si mik personal i Edi Ramës, nuk është i vetmi mes 6 zyrtarëve dhe biznesmenëve të vendosur nën hetim nga Guardia di Finanza e Milanos me urdhër të Prokurorisë, lidhur me abuzimet financiare në fushën e urbanistikës në Milano që ka lidhje direkte me Shqipërinë.

Prokuroria e Milanos ka kërkuar urdhër-arrest edhe për biznesmenin e njohur italian të ndërtimit, Manfredi Catella, pronari dhe CEO i grupit Coima, një prej kompanive të ndërtimit më të rëndësishme në Itali.

Nga një vëzhgim i bërë nga Syri TV rezulton se Manfredi Catella është bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit Muhamed Alabbar, të cilin Edi Rama e ka shpallur investitor strategjik dhe i ka dhënë portin e Durrësit, ku po ndërton Durrës Yacht Marina.

Një muaj më parë, më 16 qershor 2025, kompania COIMA SGR e biznesmenit Manfredi Catella ka finalizuar një marrëveshje me huadhënësit për të blerë 100% të borxhit të trashëguar në Grand Hôtel des Bains historik, në një veprim që hap rrugën për restaurimin e plotë të hotelit historik në Lido të Venedikut.

Rikonstruksioni do të bëhet me kompaninë Eagle Hills të biznesmenit Muhamed Alabbar, që po ndërton “Durrës Yacht Marina”, një projekt i firmosur nga vetë Kryeministri Edi Rama, i cili së fundmi ka marrë monopolin e lejeve të ndërtimit.

Në faqen zyrtare të kompanisë COIMA SGR thuhet se kompania me të cilën bashkëpunon, duke iu referuar Eagle Hills, po përparon në Evropë një portofol me më shumë se 30 asete luksoze të mikpritjes, si operacionale ashtu edhe në zhvillim e sipër, me një prani strategjike përgjatë bregdetit Adriatik, veçanërisht në të gjithë Kroacinë dhe Shqipërinë.

COIMA dhe Eagle Hills do të shqyrtojnë gjithashtu hapjen e Fondit për investitorë të tjerë institucionalë dhe profesionistë, me qëllim mbështetjen e rigjenerimit të Lido di Venezia, shtëpisë së Festivalit të Filmit në Venecia, thuhet ndër të tjera në faqen zyrtare të kompanisë COIMA SGR.