S*ks, shantazh dhe miliona dollarë: Si ‘Zonja Golf’ rrënoi murgjtë tajlandezë
Gruaja tajlandeze arrestohet për shantazh ndaj murgjve me mijëra video pas marrëdhënieve seksuale
Policia tajlandeze ka arrestuar një grua, e cila dyshohet se kishte marrëdhënie seksuale me murgj dhe më pas përdorte foto dhe video të akteve për të shantazhuar dhe përfituar para prej tyre.
Gruaja, që policia e quan "Zonja Golf", dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale të paktën me nëntë murgj, thanë autoritetet në një konferencë shtypi të martën. Ata besojnë se ajo ka përfituar rreth 385 milionë baht (rreth 11.9 milionë dollarë amerikanë) gjatë tre viteve të fundit.
Hetuesit, gjatë kontrollit në shtëpinë e saj, gjetën më shumë se 80,000 foto dhe video që ajo përdorte për të shantazhuar murgjit, tha zëdhënësi i policisë.
Ky skandal është i fundit në një seri probleme që kanë tronditur institucionin shumë të respektuar budist në Tajlandë, i cili vitet e fundit është goditur nga akuza për përfshirje të murgjve në krime seksuale dhe trafik droge.
Policia tha se rasti filloi të hetohej në mes të qershorit, kur morën vesh se një abati në Bangkok kishte braktisur befas rregullin e murgjve, pas një shantazhi nga një grua.
Zonja Golf kishte "një marrëdhënie" me këtë murgu në maj 2024, thanë policët. Më vonë ajo pretendoi se kishte fëmijën e tij dhe kërkoi mbështetje financiare për fëmijën prej më shumë se shtatë milionë baht.
Autoritetet zbuluan se edhe murgj të tjerë kishin transferuar para në mënyrë të ngjashme tek Zonja Golf – një praktikë që policia e quajti "modus operandi" i saj.
Policia shtoi se pothuajse të gjitha paratë janë tërhequr dhe disa prej tyre janë përdorur për lojëra online të fatit.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Zonja Golf këtë muaj, policia sekuestroi telefonat e saj dhe gjeti mbi 80,000 foto dhe video që ajo kishte përdorur për shantazhin ndaj murgjve.
Ajo po përballet me akuza të shumta, përfshirë shantazhin, larjen e parave dhe marrjen e mallrave të vjedhura.
Policia ka hapur edhe një linjë telefonike për qytetarët që duan të raportojnë murgj që sillen keq.
Skandali ka bërë që Këshilli i Lartë Sangha – organi qeverisës i budizmit tajlandez – të njoftojë krijimin e një komisioni të posaçëm për rishikimin e rregullave monastike.
Qeveria gjithashtu po kërkon masa më të rrepta, përfshirë gjoba dhe burg për murgjtë që shkelin kodin monastik.
Këtë javë, mbreti Vajiralongkorn i Tajlandës revokoi një urdhër mbretëror të dhënë në qershor, i cili i jepte tituj më të lartë 81 murgjve, duke përmendur rastet e fundit të sjelljes së keqe që sipas tij kanë "shkaktuar dhimbje të madhe tek budistët".
Në Tajlandë, ku më shumë se 90% e popullsisë identifikohen si budistë, murgjtë janë shumë të nderuar. Shumë burra tajlandezë zgjedhin të bëhen përkohësisht murgj për të fituar karmë të mirë.
Por institucioni budist ka qenë i tronditur nga skandale gjatë viteve të fundit.
Wirapol Sukphol, një murgu me stil jete luksoz, bëri tituj në media ndërkombëtare në vitin 2017 kur u akuzua për krime seksuale, mashtrime dhe larje parash. Në vitin 2022, një tempull në provincën veriore të Phetchabun mbeti pa murgj pasi të katër murgjtë u arrestuan në një aksion antidrogë dhe u përjashtuan nga rregulli.
Pavarësisht kritikave për mungesën e disiplinës dhe përgjegjshmërisë brenda Sanghës tajlandeze, shumë vënë në dukje se nuk ka pasur ndryshime reale në këtë institucion që ekziston prej shekujsh. Një pjesë e madhe e problemit lidhet me hierarkinë strikte të tij.
"Është një sistem autoritar i ngjashëm me burokracinë tajlandeze, ku murgjtë e lartë janë si zyrtarë të rangut të lartë dhe murgjtë më të rinj janë nënshtruar atyre," tha studiuesi i fesë Suraphot Thaweesak për BBC Thai. "Kur shohin diçka të papërshtatshme, nuk guxojnë të flasin sepse është shumë e lehtë të përjashtohesh nga tempulli."
Por disa e shohin hetimin aktual, si nga policia ashtu edhe nga Këshilli Sangha, si një hap kyç për reformimin e nevojshëm të institucionit.
"E rëndësishme është të zbulohet e vërteta që publiku të qetësojë dyshimet për pafajësinë e Sanghës," tha Prakirati Satasut, studiues sociologjie në Universitetin Thammasat në Bangkok./BBC - SYRI.NET