Fati i bujqësisë/ Gjok Vuksani: Aksioni tatimor nuk zgjidh asgjë, pezullimi i AKU-së rrezikon sigurinë ushqimore

I ftuar në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani, foli në lidhje me aksionin tatimor të qeverisë dhe ndërhyrjet në sistemin e bujqësisë.

Sipas Vuksanit, veprimet e kryeministrit janë më shumë demonstrim force sesa përpjekje për të rregulluar sektorin, ndërsa ndalimi i funksioneve të AKU-së e cilëson si një gabim të rëndë që cenon sigurinë ushqimore dhe kombëtare.

“Unë mendoj që shpeshherë kryeministri shqiptar ndërmerr të cilat janë veprime goditëse dhe repressive, të cilat nuk kanë si qëllim kryesor rregullimin e një sektori të caktuar, por kanë më shumë qëllim për të treguar forcë, për të vendosur rregull në një segment duke mos patur parasysh gjithë zinxhirin. Në rradhë të parë shet apo nuk shet fermeri me faturë nuk e rregullon sigurinë ushqimore.

Fatura në vetvete nuk ka prejardhjen e qumështit dhe të mishit, fatura ka elementët e markës tregtare dhe çmimin e saj. Kjo gjë nuk është element shtesë në sigurinë ushqimore. Nuk mund të kapësh pjesën fundore të sigurisë që është shitja ose një segment më të vogël dhe të thuash po luftoj këtë segment të fundit dhe e rregullova gjithë sistemin. Ndalimi i funksioneve të AKU-së për mua është një gabim shumë i madh. Me një urdhër të ministrit ti nuk mund ta pezullosh një institucion i cili është pjesë e sigurisë ushqimore dhe pjesë e sigurisë kombëtare. Është një guxim i tepruar i atij që ka dhënë urdhër për të pezulluar këtë institucion.” – u shpreh Vuksani.