BE shmang sanksionet ndaj Izraelit për Gazën, Tel Avivi flet për 'fitore diplomatike', palestinezët reagojnë të zhgënjyer

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën në fillim të kësaj jave të mos ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj Izraelit për operacionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës, duke zgjedhur në vend të kësaj të “vëzhgojnë nga afër” zbatimin e një marrëveshjeje të re për ndihmat humanitare.

Vendimi u mor në një takim në Bruksel, ku 27 ministrat ranë dakord të shtyjnë çdo veprim të mëtejshëm, pavarësisht ekzistencës së një raporti të BE-së që dokumenton shkelje të shumta nga Izraeli ndaj të drejtave të palestinezëve.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, konfirmoi se opsionet mbeten ende në tryezë, përfshirë pezullimin e udhëtimit pa viza dhe ndalimin e importeve nga vendbanimet hebraike, nëse Izraeli nuk përmbush angazhimet e tij. Megjithatë, ministrat zgjodhën të mos ndërmarrin masa për momentin, duke shkaktuar reagime të forta nga të dyja palët e përfshira në konflikt.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e përshkroi vendimin si një “sukses të rëndësishëm diplomatik” dhe falënderoi vendet anëtare që, sipas tij, penguan përpjekjet për të vendosur sanksione “kundër një shteti demokratik që po mbron veten”. Nga ana tjetër, homologu i tij palestinez, Varsen Aghabekian-Shahin, e quajti vendimin “tronditës dhe zhgënjyes”, duke theksuar se raporti i BE-së evidenton 38 shkelje të dokumentuara nga Izraeli, përfshirë pengesat ndaj ndihmës humanitare.

Të dy zyrtarët dhanë deklarata kontradiktore edhe mbi një marrëveshje të fundit BE-Izrael për rritjen e ndihmës humanitare në Gaza. Sa’ar pretendoi se Izraeli po e zbaton plotësisht marrëveshjen, ndërsa Aghabekian-Shahin u shpreh se pas marrëveshjes ka pasur më shumë viktima dhe mizori ndaj civilëve.

Të dy ministrat morën pjesë në takimin e BE-së me vendet e Fqinjësisë Jugore në Bruksel, ku për herë të parë që nga 7 tetori, Izraeli dhe Palestina u përfaqësuan në nivel të lartë në një forum të përbashkët. Megjithatë, sipas deklaratave të Sa’ar, nuk ka pasur komunikim direkt mes tyre, pasi ai akuzoi Autoritetin Palestinez për mbështetje të terrorizmit dhe financim të familjeve të sulmuesve palestinezë.

Zhvillimet e fundit nënvizojnë sfidat që BE-ja përballet në ruajtjen e një pozicioni të balancuar mes mbështetjes për të drejtat e njeriut dhe ruajtjes së marrëdhënieve strategjike me Izraelin./ Euronews - Syri.Net