Vasili: Sadushi dhe Begaj po destabilizojnë Gjykatën Kushtetuese, Brukseli e ka kuptuar skenarin

Deputeti i PL, Petrit Vasili, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, duke akuzuar drejtpërdrejt Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, si përgjegjës për një “puç institucional” ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Vasilit, është ndërmarrë një skemë e mirorganizuar për të rrëmbyer mandatet e gjyqtarëve dhe për të vënë këtë gjykatë nën kontroll të klientelave politike. Ai paralajmëron se kjo situatë ka tronditur edhe Brukselin, ndërsa kërkon nga ILD, KLGJ dhe SPAK të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.

Reagimi i plotë në FB:

Sadushi dhe Bega, përgjegjësit për destabilizimin e Gjykatës Kushtetuese që tronditi Brukselin!

Gjykata Kushtetuese prej muajsh të tërë ndodhet nën sulm, lidhur me përpjekjet për të rrëmbyer mandatet e gjyqtarëve nëpërmjet një puçi të pastër korporatist. Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Presidenti i Republikës janë bërë orkestrues të një loje të rrezikshme, të mbuluar me farsën e gjoja shqetësimit për zbatimin e ligjit.

Por Kushtetuta dhe ligji janë shumë të qarta, shto këtu edhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Kryetari i Gjykatës së Lartë si “mbikëqyrës” i paligjshëm i Kushtetueses

Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sadushi, ka tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke u sjellë sikur të ishte tutori dhe mbikëqyrësi ligjor i Gjykatës Kushtetuese. Ai veproi përpara kësaj gjykate në shpalljen e vakancës së znj. Holta Zaçaj, në kundërshtim me ligjin.

Sadushi ka deklaruar:

"Gjykata Kushtetuese po vonon shqyrtimin e një kërkese të Presidentit të Republikës për interpretimin e anëtarëve të Kushtetueses dhe kjo vonesë ka sjellë edhe bllokim të procedurës së nisur nga Parlamenti për plotësimin e vakancës së krijuar pas dorëheqjes së një gjyqtareje të zgjedhur nga ai institucion (Elsa Toska)."

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur ligjin

Faktet tregojnë qartë se Kuvendi ka qenë korrekt dhe koherent në zbatimin e ligjit dhe të vendimeve të veta. Kuvendi nuk i ka shërbyer skenarit Sadushi–Bega, dhe për këtë arsye është keqpërdorur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar po nga Sadushi, për të bllokuar zgjedhjen në përmbushje të vakancës parlamentare.

Presidenti dhe “pseudopaqartësitë” e tij

Presidenti i Republikës, për arsye që vetëm ai i di, i ka shërbyer destabilizimit të Gjykatës Kushtetuese përmes një kërkese të paligjshme dhe provokuese, duke bërë sikur kërkon sqarim për mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja. Megjithëse faktet janë absolutisht të padiskutueshme, Presidenti Bega bën sikur ka nevojë për interpretim, kur në të vërtetë është më i sqaruari, de facto dhe de jure.

Fakte konkrete që rrëzojnë çdo “paqartësi” të pretenduar:

Kushtetuta në nenin 179, pika 3, përcakton qartë se janë subjekt rrotacioni vetëm ata gjyqtarë që kanë zëvendësuar gjyqtarë të cilëve u ka përfunduar mandati në vitin 2017 ose 2020.
– Gjyqtarja Sonila Bejtja nuk është në këtë kategori, pasi ajo mori mandatin e lënë nga gjyqtari Besnik Muçi, i cili kishte zëvendësuar Sokol Berberin, mandati i të cilit përfundoi në prill 2016.

Dekreti i Presidentit Meta Nr. 10722 shpallte vakancën e Berberit dhe u konfirmua me shkresën përkatëse nga Gjykata Kushtetuese.

Shpallja e vakancës nga KED në vitin 2019 u bë si vakancë e plotë dhe është dokument ligjërisht i qartë.

Dekreti për Besnik Muçin përcakton mandat të plotë 9-vjeçar deri më 2028.

Dekreti për Sonila Bejtjan është për vijimin e mandatit të lënë nga Muçi, pra gjithashtu deri më 2028.

Përfundim: Nuk ka asnjë paqartësi që kërkon interpretim. Kushtetuta flet qartë.

“Fake sebepi” i rrotacionit: një skemë për të kapur Gjykatën Kushtetuese

Me pretendimin për zbatim të rrotacionit, po minohet themeli i Reformës në Drejtësi. Mandatet e gjyqtarëve kushtetues po përdoren si monedhë pazari për interesa politike dhe korporatiste.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 krijuan një realitet të ri, ku zgjedhja e gjyqtarëve ndodhi me vonesë dhe mandati i tyre 9-vjeçar do të përfundojë natyrshëm pas vitit 2028. Çdo ndërhyrje është jokushtetuese dhe destabilizuese.

Komisioni i Venecias është i qartë dhe shterues

Në Opinionin Nr. 978/2020 [CDL-AD(2020)010], Komisioni shprehet:

Mandatet duhet të jenë të plota 9-vjeçare, edhe kur fillojnë me vonesë.

Rregulli i rotacionit fiksohet vetëm në fillim; më pas ai realizohet natyrshëm përmes skadimit të mandateve të ndryshme në kohë.

Përfundime: Tentativë për kapjen e Kushtetueses në emër të “ligjit”

Destabilizimi i Gjykatës Kushtetuese, me regji dhe skenar të mirëpërgatitur për të rrëmbyer mandate, është tashmë i dukshëm. Brukseli e ka kuptuar qartë situatën dhe aktorët e përfshirë: Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Presidenti i Republikës.

Institucionet e drejtësisë – ILD, KLGJ dhe SPAK – duhet të reagojnë urgjentisht për të nxjerrë përgjegjësit dhe për të parandaluar një tjetër atentat institucional ndaj drejtësisë shqiptare.

Kjo tentativë nuk ka lidhje me ligjin, por me interesa të errëta dhe pazare klienteliste. Ajo nuk duhet toleruar në asnjë formë, përkundrazi: duhet denoncuar me forcë, në emër të shtetit të së drejtës dhe të mbrojtjes së Reformës në Drejtësi.