VIDEO/ Hoxhaj: 'Paketa e Maleve', një propagandë e rafinuar e Ramës për t’u falur territore publike investitorëve të përzgjedhur
Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV me moderatoren Sonila Meço, komentoi vendimin e fundit të qeverisë për “Paketen e Maleve”, duke e cilësuar si një manovër të kujdesshme propagandistike për të falur prona publike me çmime simbolike.
Sipas Hoxhajt, Kryeministri e ka prezantuar fillimisht këtë paketë në Shkodër gjatë një vizite në vitin 2024, përfshirë ndalesa në Theth, ku shoqërohej nga ministri i pushtetit vendor Arbjan Mazniku, që sipas tij do të luajë një rol kyç në këtë proces deri në formimin e qeverisë së re.
Ai theksoi se paralajmërimet për këtë nismë janë bërë në mënyrë të vazhdueshme nga Kryeministri, i cili në çdo dalje publike ka përdorur “mekanizmat e propagandës dhe joshjes” për ta paraqitur ligjin si zgjidhje për çështjet e pronësisë, ndërsa, në të vërtetë, qytetarët nuk kanë ditur detajet që fshiheshin pas tekstit ligjor tashmë të miratuar.
Hoxhaj sqaroi se ligji ka tri pika kryesore, ku më kryesorja është dhënia e pronave publike në zona malore pa procedura koncesionare dhe për vetëm 1 euro për të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”. Ai solli shembullin e Thethit, ku një sipërmarrës, sapo vendos të investojë, përfiton territor publik në mënyrë direkte, pa konkurrencë dhe pa detyrimin për të paguar taksa.
Sipas gazetarit, kjo praktikë përjashton jo vetëm koncesionet tradicionale afatgjata, por edhe çdo mekanizëm kontrolli mbi pronësinë dhe përfitimin. Në thelb, sipas tij, qeveria po fal prona publike, duke sakrifikuar interesin publik.
Ai paralajmëroi se nga kjo nismë do të humbasin qytetarët shqiptarë, pasi investitorët që përfitojnë nuk do të kenë asnjë detyrim tatimor. “Shpallen investitorë strategjikë dhe u jepet gjithçka gati”, u shpreh Hoxhaj.
Më tej, gazetari nënvizoi se, bazuar edhe në hartën që vetë Kryeministri ka prezantuar publikisht, pjesa më e madhe e aplikimeve dhe përfitimeve përqendrohen në veri të vendit, çka sipas tij e bën edhe më të dukshme përzgjedhjen selektive të zonave me interes ekonomik dhe turistik të lartë.
Hoxhaj:
Kryeministri, ‘paketën e maleve’, e ka prezantuar fillimisht në Shkodër.
Ka qenë në zonën e Shkodrës, muaj më parë, në vitin 2024, edhe kur ka shkuar në Theth por edhe më pas me ministrin e pushtetit vendor Arbjan Mazniku, sepse ai do të jetë edhe personi kyç, të paktën deri në momentin që do të krijohet qeveria e re, pastaj do të jetë ministri tjetër i pushtetit vendor që do të emëret me menaxhimin e ’Paketës së Maleve’.
Kryeministri ka paralajmëruar në një farë mënyre, gjatë të gjithë kohës, në të gjitha vizitat që ai ka bërë apo sa herë ka folur për ‘paketën e maleve’, i ka paralajmëruar banorët për atë që do të ndodhte por duke përdorur mekanizmin e propagandës dhe joshjes në mënyrat e tij klasike dhe që e dinë të gjithë, duke thënë që kjo paketë juve do t’ju zgjidhë hallin e pronësisë, ju do keni mundësi të investoni me një euro etj. etj., pra njerëzit nuk i kanë ditur detajet dhe çfarë fshihej realisht nën rreshtat e ligjit të famshëm që është miratuar tashmë.
Ligji ka tre pika kryesore, së pari ‘paketa e maleve’, për herë të parë në Shqipëri po them, zhduk atë praktikë që kanë bërë qeveritë kur kanë dhënë koncesione për periudha afatgjata, pra që janë koncesione të territoreve në zona malore që jepeshin për 100 vjet dhe pas 100 vjetësh pastaj ata që e kishin deri në atë moment mund të aplikonin për procedura të pronësimit.
Tashmë qeveria ia jep direkt, pra qeveria një pronë publike, një personi që shkon të investojë po themi në Theth, i thotë atij zotërisë që ti tashmë këtë territor që ke zgjedhur të investosh do ta blesh me 1 euro.
Ia fal praktikisht që ditën e parë që ai shkon për të investuar, pa asnjë lloj koncesioni.
Madje qytetarët shqiptarë do të humbin nga kjo lloj falje që bën qeveria shqiptare sepse ky biznes nuk do të paguajë as taksa, pra shpallet investitor strategjik.
Po ta shihni re ‘paketa e maleve’, edhe te harta që u pa pak më përpara që ka nxjerrë vetë kryeministri, pjesa më dominuese aty e aplikimeve është pikërisht veriu i vendit.