Emocione dhe mirënjohje, Virtz përshëndetet me tifozët e Leverkusenit

Florian Virtz përshëndetet: Numri 10 viziton për të fundit herë ish-kolegët te Bajer Leverkusen, përpara se të nisë aventurën e tij të re te Liverpul.

Para se ish-kolegët e Virtzit të fillojnë testet fizike dhe diagnostikimet e performancës, numri 10 është tashmë këtu, duke bërë turin e lamtumirës.

Ai nuk u përshëndet vetëm me ish-shokët e skuadrës, por edhe me tifozët e Bajer Leverkusenit: “Të dashur tifozë, fatkeqësisht nuk munda të përshëndetesha me të gjithë ju në ndeshjen e fundit të sezonit”, tha Virtz në një video në kanalin e tij në Instagram.

“Mbaj mend kur u transferova këtu pesë vite më parë. Kam marrë kaq shumë përshtypje që nuk i kisha imagjinuar ndonjëherë”, vazhdon Virtz.

“Festuam shumë fitore, arrita të shënoj shumë gola dhe të jap asiste. Gjatë kësaj kohe, arrita gjithashtu të rritem si lojtar kombëtar”.

Virtz reflekton edhe mbi momentin më të vështirë të tij, këputjen e ligamentit. Por, sipas tij, rikuperimi ishte më i lehtë, “sepse gjithmonë ndjeva mbështetjen tuaj. Dhe ajo që ndodhi më pas, është histori!”.

Me skuadrën e Leverkusenit, Virtz u shpall kampion i Gjermanisë, hera e parë për lojtarin dhe gjithashtu një arritje historike për klubin, trofeu i parë për Leverkusenin.

“Kur të gjithë dolët në fushë pas tripletës sime ndaj Bremenit, ishte një ndjesi e pabesueshme! Ajo që arritëm këto sezone ende është e pakapshme”.

Virtz thotë se nuk do ta harrojë kurrë se si tifozët festuan titullin me skuadrën në shiun e verës, pas një sezoni pa asnjë humbje në Bundesligë.

Virtz vazhdoi duke falënderuar të gjithë “për kohën e mrekullueshme” dhe “dashurinë që më dhatë”, duke e mbyllur videon emocionale me: “Shpresoj që të bëheni kampionë të Gjermanisë sërish! I juaji, Flo”.