Rushaj: Rama fsheh problemet reale duke bërë diplomaci komike, modeli i tij po largon shqiptarët

Konferenca ‘The Western Ballkan Paradigm’, që mblodhi sot në Tiranë, drejtues të Partisë Popullore Europiane dhe të Partisë Demokratike, ishte tema e bisedës në intervistën e ‘Edicionit të Pasdites’ në SYRI TV.

Përballë moderatorit Edvin Parruca, i ftuar ishte anëtari i Fondacionit për Liri dhe Demokraci, Stiliano Rushaj. Ai tregoi mbi sfidat që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë dhe rajonit.

Gjatë intervistës, Rushaj theksoi se konferenca ku mori pjesë kishte për qëllim të trajtonte hapur çështje thelbësore si demokracia, sundimi i ligjit, zgjedhjet e lira dhe korrupsioni. Sipas tij, në Shqipëri po bëhet një përpjekje e vazhdueshme për të fshehur problemet reale, ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes një diplomacie ‘jokere’, tenton të maskojë qeverisjen autokratike dhe të krijojë një perceptim të rremë mbështetjeje nga liderët europianë.

‘Mesazhi kryesor i konferencës është për të folur hapur për problemet dhe sfidat që prekin vendet e rajonit dhe Shqipërinë. Ekzaktësisht mbi demokracinë, vendet e rajonit dhe shtetin e së drejtës, problemet me zgjedhjet e lira dhe problemet mbi korrupsionin. Ky takim është një seri takimesh që po zhvillohet në një farë mënyre për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar. Në një farë mënyre, konferenca ishte për të trajtuar çështjet thelbësore që realisht ndikojnë në jetën qytetare, ekonomike, por edhe standardet demokratike të vendeve tona.

Për fat të keq, në Shqipëri vihet re një përpjekje për të fshehur problemet reale të Shqipërisë dhe e vëmë re vetë kryeministrin Edi Rama që përpiqet të luajë një lloj diplomacie ose një lloj jokeri komik, i cili përpiqet të mbulojë qeverisjen e tij autokratike në sytë e ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, dëshiron të krijojë perceptimin që ky afrimitet me liderët europianë tregon mbështetjen e qeverisjes Rama. Realisht, ky është një model i cili po largon shqiptarët masivisht dhe nuk përfaqëson vlerat e vetë BE-së.’ – u shpreh Rushaj.