'Rama kërkon faturë edhe për rigonin'/ Gjoka: Të ndalet kjo politikë e gabuar, qeveria po u merr frymën...

Sipërmarrësi i bimëve mjekësore, Filip Gjoka, i ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, u shpreh se masat e fundit të ndërmarra nga qeveria ndaj shitësve ambulantë dhe pikave të grumbullimit janë të nxituara dhe të dëmshme, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Sipas tij, kjo qasje jo vetëm që penalizon fermerët e vegjël dhe banorët e zonave të thella malore, por favorizon tregtarët e mëdhenj dhe spekulantët që do të përfitojnë nga dobësimi i prodhuesve lokalë. Gjoka theksoi se shumë prej këtyre njerëzve sigurojnë jetesën përmes bimëve mjekësore dhe produkteve të natyrës, të cilat sot janë kërkuar edhe nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Në këtë kuadër, ai i bëri thirrje Ministres së Bujqësisë, znj. Denaj, që t’i paraqesë personalisht Kryeministrit Rama shqetësimet reale të fermerëve dhe të zhvillojë një proces konsultimi me biznesin e vogël dhe aktorët e tregut.

Duhet gjetur një zgjidhje e drejtë dhe një rrugë e mesme, që nuk shkatërron ekonominë e këtyre njerëzve dhe nuk i detyron të largohen nga zonat e tyre,” – deklaroi Gjoka, duke paralajmëruar se pas çdo vendimi të tillë të pakonsultuar, fshihen interesa që nuk kanë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.

Pjesë nga intervista:

Nisma e qeverisë për të kërkuar dhe për të vënë "me shpatulla pas murit" shitësit ambulantë, pikat apo agropikat e shitjes sidomos në kohën e pikut të turizmit, kur shumë të huaj që po na vizitojnë kanë interes të madh për produktet e pyjeve, të bimëve, çajit, mishit dhe çdo produkti tjetër që prodhon Shqipëria është një masë që, në vend që të ndihmojë, rrezikon të dëmtojë.

Kjo është koha më e mirë për të reklamuar dhe promovuar këto produkte, por unë i druhem kësaj mase që do ta quaja të nxituar, pasi është e pamundur që brenda një jave apo në pikun e prodhimit të vendoset një masë kaq shtrënguese. Siç e dini dhe siç e keni transmetuar edhe në Syri TV, ulja e TVSH-së për fermerët nga 20% në 6%, e më pas heqja fare e saj, i ka bërë këta fermerë të humbasin interesin për të mbajtur NIPT-et. Në një periudhë, numri i NIPT-eve arriti gati në 37 mijë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe ata që prodhonin vetëm 100–300 vezë në shtëpitë e tyre. Duke pasur NIPT, ata kishin mundësinë të faturonin drejt pikave të grumbullimit dhe të ishin të identifikueshëm si prodhues.

Sot, shumica e tyre i kanë mbyllur NIPT-et dhe nuk funksionojnë më. Përballë kësaj situate, mendoj se qeveria duhet të ulet dhe ta shqyrtojë me kujdes këtë çështje, sepse duhet gjetur një rrugë e mesme që të mos dëmtohen këta shitës, të cilët, për një pjesë të mirë, këtë punë e kanë burim jetese.

Pashë që po i kërkonin kupon një gruaje që kishte dalë në bjeshkë dhe kishte grumbulluar rigon. Kjo “luftë” që po bëhet nuk do t’i shërbejë identifikimit të prodhuesve të vegjël. Përkundrazi, do të ulë këtë lloj biznesi dhe do të krijojë terren për tregtarët e pandershëm, të cilët me letra të siguruara në rrugë të ndryshme, do ta përfitojnë situatën duke blerë më lirë nga këta njerëz të ndershëm, dhe duke ua marrë frymën.

Kjo do të ketë një impakt negativ tek ata pak njerëz që kanë mbetur në zonat malore dhe që jetojnë me këtë ekonomi. Ata mund të detyrohen të braktisin edhe këtë aktivitet.

Shpresoj që qeveria të gjejë momentin e duhur dhe të reflektojë ndaj kësaj nisme të nxituar. I bëj thirrje Ministres së Bujqësisë, znj. Denaj, që t’ia paraqesë këtë shqetësim Kryeministrit Rama dhe të konsultohet me biznesin e vogël dhe me të gjithë aktorët e tregut, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e drejtë, e cila nuk dëmton as këtë sektor, as këta njerëz.

Kur ligjet, urdhrat apo udhëzimet hartohen me “të rënë të lapsit”, pa u analizuar më parë ndikimi që ato do të kenë, lind dyshimi i arsyeshëm: kush fshihet pas tyre?