SYRI TV/ Inskenoi vdekjen në 2003, e jetonte i lirë në SHBA, Tirana ekstradon në Itali bosin shqiptar të trafikut të drogës
Nga SYRI TV
Leonard Mnella, bosi shqiptar i trafikut të drogës, është ekstraduar këtë të mërkurë (16 korrik 2025) nga Shqipëria drejt Italisë, pas 20 vitesh në arrati.
56-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi ishte dënuar për disa vepra të rënda penale. Sipas këtyre autoriteteve, ai ishte një figurë kyçe në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me lidhje mes Amerikës së Jugut, Italisë dhe Shqipërisë.
Mnella është dënuar me 25 vite burg nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Salernos për veprat penale: rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, dëmtime të rënda trupore, mbajtje pa leje të armëve dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale për trafik droge.
Ndër akuzat më të rënda ndaj tij është rrëmbimi i një personi në vitet ’90 në rajonin e Piemontes, si dhe përfshirja në një rrjet të trafikut të heroinës aktiv në provincën e Salernos nga fundi i viteve ’90 deri në fillim të viteve 2000.
Pas një hetimi të thelluar të zhvilluar nga autoritetet italiane, rrjeti kriminal u çmontua, por Mnella arriti t’i shpëtonte drejtësisë dhe u zhduk për më shumë se dy dekada. Ai u lokalizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte ndërruar identitet dhe kishte simuluar vdekjen për të shmangur arrestimin.
Në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe përmes kanaleve të Interpolit, ai u deportua në Shqipëri në mars të vitit të kaluar dhe u arrestua në aeroportin e Tiranës nga forcat speciale RENEA, në pritje të ekstradimit. Operacioni i ekstradimit u realizua këtë të mërkurë.