Osimhen mes Napolit dhe dy ofertave, Liverpooli hyn fuqishëm në garë, Galatasaray ngurron
Telenovela e verës në merkaton e futbollit ka protagonist Victor Osimhen-in. Sulmuesi nigerian është kthyer në objekt të shumë diskutimeve mes Napolit dhe Galatasaray-t, por negociatat mes palëve kanë hyrë në një ngërç. Pikërisht në këtë moment, Liverpool-i është futur fuqishëm në garë, duke kërkuar të përfitojë nga pasiguria e klubit turk.
Napoli e ka bërë të qartë: çmimi i Osimhen-it është 75 milionë euro. Marrëveshja me Galatasaray-n ishte thuajse drejt finalizimit, por më pas gjithçka është bllokuar për shkak të mungesës së garancive financiare nga ana e klubit turk.
Sipas raportimeve nga Sky Sports, Liverpool-i ka vendosur të monitorojë nga afër situatën, me trajnerin Arne Slot që është në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë pas humbjes tragjike të Diogo Jota-s. Pistat e tjera si ajo e Isak nga Newcastle janë të vështira për t’u ndjekur për shkak të kërkesës së lartë prej 120 milionë eurosh, ndaj vëmendja është kthyer tek Osimhen.
Një faktor që mund të përshpejtojë marrëveshjen është interesimi i Napolit për Darwin Nunez. Klubi italian është i gatshëm të negociojë edhe një shkëmbim lojtarësh, ku uruguaiani mund të përfshihet si pjesë e marrëveshjes për Osimhen-in.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka qenë aktiv në merkato me afrime si Kevin De Bruyne, Lorenzo Lucca dhe idenë për të sjellë Jack Grealish, por tani është koha për të shitur. Hezitimi i Galatasaray-t ka krijuar nervozizëm te drejtuesit napolitanë dhe një ofertë konkrete nga Liverpool-i mund të ndryshojë krejtësisht kursin e negociatave.
Për më tepër, destinacioni anglez pëlqehet edhe nga vetë Osimhen, i cili shihet me sy të mirë transferimin në “Anfield”. Telenovela vazhdon, por duket se kapitulli i radhës mund të shkruhet në Premier League.