Ekstradohet në Itali shqiptari i dënuar për trafik droge! Simuloi vdekjen, e jetoi 20 vjet në SHBA me identitet tjetër
Nga Alba Kepi/
Romë – Një shtetas shqiptar 56-vjeçar, i dënuar për vepra të rënda penale në Itali, është ekstraduar nga Shqipëria dhe ka mbërritur në aeroportin e Fiumicino-s në Romë, i shoqëruar nga oficerë të Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë italiane.
Sipas autoriteteve italiane, i ekstraduari ishte një figurë kyce në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me lidhje ndërmjet Amerikës së Jugut, Italisë dhe Shqipërisë. Ai është dënuar me 25 vite burgim nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Salernos për rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, lëndime të rënda trupore, mbajtje të paligjshme armësh dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale për trafik droge.
Ndër akuzat më të rënda ndaj tij është rrëmbimi i një personi në vitet ’90 në rajonin e Piemontes, si dhe përfshirja në një rrjet të trafikut të heroinës aktiv në provincën e Salernos nga fundi i viteve ’90 deri në fillim të viteve 2000.
Pas një hetimi të thelluar të zhvilluar nga Njësia Hetimore e Salernos dhe Shërbimi Qendror Operativ i Policisë së Shtetit italian, rrjeti kriminal u çmontua, por i dyshuari arriti t’i shpëtonte drejtësisë dhe u zhduk për më shumë se dy dekada.
Ai u lokalizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte ndërruar identitet dhe kishte simuluar vdekjen për të shmangur arrestimin. Në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe përmes kanaleve të Interpolit, ai u deportua në Shqipëri në mars të vitit të kaluar dhe më pas u arrestua në aeroportin e Tiranës nga forcat speciale RENEA, në pritje të ekstradimit.
Operacioni është pjesë e projektit “Wanted”, i drejtuar nga Shërbimi Qendror Operativ i Policisë italiane, që synon gjurmimin dhe arrestimin e kriminelëve të rrezikshëm në bashkëpunim me policitë e vendeve të tjera.