Njihuni me Romano Mussolini-n, stërnipi i diktatorit italian do të luajë në Serinë A

Romano Benito Floriani Mussolini, stërnip i diktatorit italian Benito Mussolini, është zyrtarisht lojtar i Cremonese-s për sezonin e ardhshëm në Serinë A. Ai është huazuar nga Lazio, me të drejtë blerjeje, pas një sezoni shumë pozitiv në Serinë B me skuadrën e Juve Stabia-s.

I lindur në Romë më 27 janar 2003, Romano është një anësor ekstrem që e nisi karrierën e tij në akademinë e Romës, për t’u transferuar më pas te Lazio, ku kaloi shumicën e rinisë dhe fitoi edhe Superkupën Primavera 2. Debutimin si profesionist e bëri me Pescara-n në sezonin 2023–24, duke grumbulluar 32 paraqitje mes kampionatit, Kupës dhe play-off-eve.

Në sezonin e fundit me Juve Stabia-n, ai luajti 37 ndeshje, duke realizuar 1 gol dhe dhënë 3 asistime, përfshirë edhe dy ndeshje gjysmëfinale të play-off-eve ndaj… pikërisht Cremoneses, klub ku tani do të vazhdojë karrierën e tij.

Romano, i cili është 22 vjeç, ka bërë të qartë në intervista se dëshiron të njihet si “Romano Mussolini”, duke hequr dorë nga mbiemri i mesëm “Floriani”. Edhe pse nuk e mohon prejardhjen, ai ka deklaruar se nuk ka interes për politikën dhe synon që të gjykohet për atë që bën në fushën e lojës, jo për historinë e familjes.

Ai është djali i tretë i Mauro Floriani-t dhe ish-politikanes Alessandra Mussolini, e njohur edhe për pjesëmarrjen në emisionin televiziv italian “Ballando con le Stelle”. Gjyshi i tij ishte pianisti Romano Mussolini, ndërsa stërgjyshi, diktatori Benito Mussolini, udhëheqës i Italisë fashiste, i cili u ekzekutua më 28 prill 1945.

Me këtë hap të ri në Serie A, Romano Mussolini përpiqet të shkruajë historinë e tij personale në futboll, larg hijes së të kaluarës së bujshme familjare.