Ukraina përshëndet ndryshimin e qëndrimit të Trump-it mbi armët, por 'djalli fshihet në detaje'
Ukraina dhe aleatët e saj në Evropë kanë përshëndetur me entuziazëm një kthesë të papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka dhënë dritën jeshile për një plan të ri armëmbajtjeje: vendet evropiane do të dhurojnë sisteme të mbrojtjes ajrore për Kievin dhe, në këmbim, do të blejnë armë të reja nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, pavarësisht entuziazmit fillestar, plani i propozuar është ende më shumë një kornizë e përgjithshme sesa një marrëveshje konkrete dhe zbatimi i tij mbetet i pasigurt.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha:
“Ne do të prodhojmë armë të teknologjisë më të avancuar dhe ato do t’u dërgohen vendeve të NATO-s.”
Sipas burimeve të Reuters, disa sisteme Patriot, shumë të kërkuara nga Ukraina për të mbrojtur qytetet e saj nga raketat balistike ruse, pritet të mbërrijnë në ditët në vijim. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se cilat vende do të heqin dorë nga këto sisteme jetike për sigurinë e tyre kombëtare.
Plani është hartuar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë takimeve të fundit në Uashington. Gjashtë vende të aleancës, Finlanda, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Kanadaja, janë përmendur si pjesë e iniciativës, megjithëse diplomatë të lartë të dy prej tyre kanë pranuar për Reuters se kanë mësuar për planin vetëm në momentin e shpalljes.
Një ambasador evropian në Uashington e përmblodhi situatën me fjalët:
“Si gjithmonë në këto çështje, djalli fshihet në detaje.”
Ndërsa Trump ka fituar duartrokitje brenda bazës së tij politike për presionin mbi Evropën që të investojë më shumë në mbrojtje, kjo kthesë në qëndrim për Ukrainën shihet si një përpjekje për të ruajtur ndikimin amerikan në NATO pa kundërshtuar drejtpërdrejt linjën e Partisë Republikane, e cila ka qenë gjithnjë e më skeptike për ndihmën ndaj Kievit.
Megjithatë, zbatimi i planit do të varet nga negociata të ndërlikuara shumëpalëshe, ku do të përcaktohet se kush, çfarë jep dhe kur, një proces që mund të zgjasë dhe të përballet me rezistencë politike dhe ushtarake. Deri atëherë, për Ukrainën, çdo ndihmë mbetet ende në letër.