Francisco Conceição më pranë Juventusit, por gjithçka varet nga një firmë
Juventus dhe Porto kanë arritur marrëveshjen për transferimin e Francisco Conceição-s me një çmim prej 32 milionë eurosh, sipas mediave portugeze si ‘A Bola’ dhe ‘Record’. Megjithatë, zyrtarizimi i kalimit të talentit portugez te "Zonja e Vjetër" është ende në pritje, dhe fati i operacionit do të vendoset brenda ditës së sotme.
Presidenti i Portos, André Villas-Boas, ka caktuar mesnatën e së mërkurës si afatin përfundimtar për të marrë vendimin. Në qendër të diskutimit është një detaj i rëndësishëm financiar: Francisco Conceição duhet të heqë dorë nga 20% e shumës së transferimit, që përkthehet në 6.4 milionë euro. Bëhet fjalë për një të drejtë që ai ka në bazë të kontratës, por për të finalizuar marrëveshjen, është e nevojshme një dokument zyrtar që e revokon këtë të drejtë.
Sipas ‘Record’, ky dokument ende nuk ka mbërritur në zyrat e Portos. Nëse nuk dorëzohet deri në orën 00:00 të natës, marrëveshja me Juventusin bie poshtë, pavarësisht dakordësisë mes klubeve.
Çmimi përfundimtar prej 32 milionë eurosh është rritur nga 30 milionë për të përballuar amortizimin e transferimit në bilancet e Juventusit, që planifikon ta paguajë në tri këste përgjatë katër viteve.
Ndërkohë, ‘A Bola’ thekson se klauzola e lirimit të Conceição-s është rritur në mënyrë automatike në 45 milionë euro këtë të mërkurë, për shkak të një penaliteti të parashikuar në kontratë. Megjithatë, në shenjë mirëbesimi, Porto dhe Juve i kanë dhënë lojtarit edhe 24 orë shtesë për të marrë vendimin përfundimtar.
Tashmë gjithçka është në duart e vetë Conceição-s: një firmë do ta çojë në Torino, mungesa e saj do të prishë gjithçka.