Milani synon mbrojtësin e Real Madridit, në diskutim transferimi prej 20 milionë eurosh
Milani ka vënë në shënjestër mbrojtësin e krahut të majtë të Real Madridit, Fran García. Sipas mediave italiane, dy klubet kanë nisur bisedimet për një transferim të mundshëm të spanjollit 25-vjeçar, me madrilenët që kërkojnë rreth 20 milionë euro për kartonin e tij.
Situata e García-s te “Los Blancos” është bërë më e ndërlikuar pas afrimit të Álvaro Carrera-s, për të cilin Real Madridi shpenzoi 50 milionë euro. Me konkurrencën që rritet, Fran rrezikon të humbasë vendin titullar dhe mund të shfrytëzojë interesimin e Milanit për të siguruar më shumë minuta loje.
Fran García është produkt i akademisë së Real Madridit, ku ka qenë që prej vitit 2013. Në sezonin 2024/25, ai ka zhvilluar 54 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një gol dhe dhënë pesë asistime. Vetëm në La Liga, ka luajtur në 31 ndeshje dhe ka qenë i pandëshkuar me kartonë të verdhë, një tregues i disiplinës së tij taktike.
Mbrojtësi, i cili mban fanellën me numrin 20, është i gjatë 169 cm dhe peshon 63 kg. Aktualisht ka kontratë me Realin deri në qershor të vitit 2027, ndërsa vlera e tij në portalin Transfermarkt është 18 milionë euro.
Milani e sheh García-n si një përforcim të rëndësishëm për krahun e majtë të mbrojtjes, duke qenë se ai ofron shpejtësi, teknikë dhe eksperiencë në nivelet më të larta. Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që do ta çojë spanjollin në “San Siro”.