'Ti mund t’ia kalosh Rishterit'/ Genc Tukiçi në 'A SHOW', në rrëfimin e një jete mes artit, familjes dhe madhështisë së muzikës
Pianisti dhe kompozitori i njohur shqiptar, Genc Tukiçi, ishte i ftuar në emisionin “A Show” me gazetarin Adi Krasta, ku ndau një intervistë të rrallë dhe emocionuese mbi rrugëtimin e tij artistik, trashëgiminë familjare dhe përjetimet personale që kanë formësuar figurën e tij në skenën ndërkombëtare.
I lindur në një familje me rrënjë të thella artistike, Tukiçi është biri i tenorit të madh shqiptar Ibrahim Tukiçi dhe vëllai i kompozitorit David Tukiçi. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas në “École Normale de Musique” në Paris, ku sot vepron si pedagog në Konservatorin e Parisit dhe njëherazi vazhdon një karrierë të konsoliduar si pianist në qendrat më të rëndësishme kulturore të Europës.
Në intervistën me Krastën, Genc Tukiçi ndau për publikun një kujtim të veçantë me të atin, që për të mbetet udhërrëfyes shpirtëror dhe artistik.
“Babai im kishte dëgjuar në Rusi pianistin legjendar Rishter. Ai më thoshte: ‘Genc, ti ke talent. Rishterin nuk e ka bërë njeri, ndërsa ty të kanë bërë nëna dhe babai yt.’ Këto fjalë më ngelën në mendje për vite me radhë”, tregoi Tukiçi.
Pika kulmore emocionale e intervistës erdhi kur artisti rikujtoi një nga momentet më të ndjera të jetës: “Kur babai ishte plak dhe përdorte shkop, erdhi pas një koncerti tim dhe më tha: ‘Ma jep dorën. Sapo ke luajtur më mirë se Rishteri.’ Unë iu përgjigja: ‘Babë, nuk kam dashur kurrë t’ia kaloj Rishterit. Kam dashur vetëm të jem më i mirë se vetvetja.’”
Për Tukiçin, arti është mbi të gjitha një përpjekje e vazhdueshme për t’u tejkaluar: “Secili nga ne, në fushën që ka zgjedhur, duhet të kërkojë të jetë më i mirë se vetja e djeshme. Unë nuk jam supermen, por e njoh kufirin tim dhe përpiqem të jap gjithmonë më të mirën.”
Duke folur për balancën njerëzore mes forcës dhe ndjeshmërisë, ai përshkroi me finesë prindërit e tij: “Nëse babai ishte vullkani, nëna ishte thellësia e detit kur ai është i qetë. Ai ishte temperamenti, ajo ishte butësia, eleganca, inteligjenca.”
Gjatë intervistës, kur në ekran u shfaq një fotografi familjare, Tukiçi mes emocionesh u shpreh: “Kjo foto më prek shumë. Prindërit na lanë një amanet: të jemi gjithmonë bashkë. Sot që ata nuk janë më, motra jonë, një mjeke shumë e zonja në New York, e mban këtë amanet gjallë dhe jeton me ne shpirtërisht çdo ditë.”
Rrëfimi i Genc Tukiçit në “A Show” ishte një dëshmi e thellë jo vetëm e një jete të përkushtuar ndaj muzikës, por edhe e trashëgimisë shpirtërore që formon artistët e mëdhenj. Një fjalë e thjeshtë që ai e përsëriti disa herë përmblodhi gjithë filozofinë e tij jetësore dhe artistike: “Të jesh më i mirë se vetvetja.”
Tukiçi: Babai im, Ibrahimi, ka studiuar në Rusi dhe aty ka dëgjuar Aviajotistav Rishterin që ishte më i miri ose ndër më të mirët e shekullit 20, pianist.
Tha: 'Kam britur si i marrë kur e kam dëgjuar, dhe e ka takuar personalisht, dhe me thoshte: ‘Genc, ti ke talent dhe nëna e babi të ka bërë, kurse Rishter nuk kishte bërë njeri.’
Dhe tani për të dhënë përgjigjen… Për shumë vite e durova këtë gjë, që më thoshte: ti mund t’ia kalosh Rishterit, dhe në një moment kur im atë ishte plak me shkop, simpatik, king, erdhi dhe më pa, tha: “Ma jep dorën, sonte ke luajtur më mirë se Rishteri.”
Ishte dhe babi dhe shoku im më i mirë. Unë i thashë: “Babë, dëgjo, nuk kam dashur kurrë t’ia kaloj Rishterit.”
“S’di?”, më tha mua, i hapi sytë kështu. I thashë: “Edhe sot e asaj dite… kam dashtë me qenë më i mirë se vetvetja.”
Dhe mendoj se gjithsecili nga ne, unë në muzikë, ti në gazetari, ka gjithmonë një spacio; kur je këtu, ke një spacio me qenë më i mirë se Genci.
E ndjej veten akoma shumë të ri në zanat dhe mendoj se akoma, pa qenë i miri apo më i miri se adi apo se të tjerët, duhet të jesh më i mirë se vetvetja.
Dhe ka dhe diçka tjetër, mendoj se është provë inteligjence me e ditë sa i ke shpatullat. Unë e di që nuk jam supermen, dhe inteligjenca më thotë që, si me thënë, kaq e ke, dhe atëherë jep më të mirën.
Nëse baba ishte temperamenti, ishte forca, nëna ishte butësia, eleganca, inteligjenca; ishte një ekuilibër perfekt nga vullkani që ishte baba me atë thellësinë e detit kur deti ishte i qetë.
Gjatë intervistës në studio, kur u shfaq një foto, Tukiçi u shkreh: “Më pëlqen shumë kjo foto, se prindërit tanë na kanë lënë një amanet me qenë gjithmonë bashkë dhe ky amanet është shumë i shtrenjtë për ne të tre. Tani, ne prindërit nuk i kemi dhe motra ka marrë atë, si me thënë, atributin prindëror. Ajo dridhet për ne të dy, jeton me ne të dy, është mjeke shumë e zonja në New York.”
Ti je shumë interesant se i bën pyetjet dhe përgjigjen e ke brenda. Kot kam me shtuar diçka, ti e bëre aq bukur pyetjen…