Jemen: Shtyhet ekzekutimi i infermieres indiane të dënuar për vrasje brutale, shpresa e vetme, falja nga familja e viktimës
Autoritetet në Jemen kanë shtyrë përkohësisht ekzekutimin e Nimisha Priya-s, një infermiereje indiane e dënuar me vdekje për vrasjen e një biznesmeni vendas, konfirmuan burime të Ministrisë së Jashtme indiane. Ekzekutimi i saj ishte planifikuar për 16 korrik, por u pezullua në minutat e fundit ndërsa përpjekjet për ta shpëtuar nga dënimi po vazhdojnë.
Priya, e cila vjen nga shteti jugor indian i Kerala-s, u shpall fajtore për vrasjen dhe copëtimin e trupit të ish-partnerit të saj në biznes, Talal Abdo Mahdi, në vitin 2017. Trupi i tij u gjet në një rezervuar uji, në një rast që tronditi opinionin publik jemenas dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.
Sipas ligjit islamik të Sheriatit, që zbatohet në Jemen, i dënuari mund të shpëtojë nga ekzekutimi nëse familja e viktimës e fal në këmbim të dijah – kompensim financiar për gjakun. Të afërmit dhe përkrahësit e Priya-s kanë mbledhur 1 milion dollarë dhe ua kanë ofruar familjes së Mahdiut, por kjo e fundit këmbëngul në zbatimin e plotë të ligjit të hakmarrjes.
“Ne nuk e pranojmë asnjë përpjekje për pajtim – vetëm zbatimin e Ligjit të Zotit në Kisas”, deklaroi vëllai i viktimës, Abdelfattah Mahdi, për BBC Arabic, duke akuzuar mediat indiane për shtrembërim të realitetit dhe përpjekje për ta paraqitur të dënuarën si viktimë.
Ndërkohë, qeveria indiane ka intensifikuar përpjekjet diplomatike në ditët e fundit për të fituar më shumë kohë në funksion të një marrëveshjeje të mundshme mes palëve. Ministria e Jashtme indiane konfirmoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet jemane, pavarësisht vështirësive që sjell situata e trazuar e luftës civile në vend.
Priya, 34 vjeç, ndodhet aktualisht në burgun qendror të Sanaa-s. Ajo u arrestua në vitin 2017 dhe u dënua me vdekje në vitin 2020. Pas refuzimit të apelit të saj nga Gjykata Supreme e Jemenit në vitin 2023, ekzekutimi i saj u miratua në janar të këtij viti nga autoritetet Huthi që kontrollojnë kryeqytetin.
Nëna e saj, një grua e varfër që punon si ndihmëse shtëpiake në Kerala, ndodhet në Jemen që nga prilli 2024 për të ndërmjetësuar faljen, me ndihmën e Samuel Jerome, një punonjës social i angazhuar për kauzën.
Fati i Nimisha Priya-s mbetet i paqartë, me shtyrjen që ofron vetëm një dritare të vogël kohe për të shmangur ekzekutimin – nëse dhe vetëm nëse familja e viktimës pranon të falë.