Një arush pellushi që dukej si i bërë me mish njeriu trondit Kaliforninë, arrestohet një 23-vjeçar
Një incident i pazakontë dhe shqetësues ka tronditur qytetin Victorville në Kaliforni, ku një “arush pelushi makabër” i lënë pranë një stacioni karburanti shkaktoi alarm publik dhe një hetim të gjerë policor. Autoritetet arrestuan Hector Corona Villanueva, 23 vjeç, nën akuzat për mbjellje provash të rreme dhe shkaktim të një emergjence publike.
Ariu i çuditshëm, që dukej sikur ishte ndërtuar nga pjesë të mishit të njeriut, u zbulua të dielën pasdite në stacionin AMPM në Bear Valley Road. Një dëshmitar telefonoi menjëherë policinë, e cila mbylli zonën dhe thirri ekipet forenzike për të analizuar objektin. Video të shpërndara në rrjet tregojnë momentin kur zyrtarët e mbështjellin lodrën në një çantë provash.
Pas analizave, zyra e sherifit të Qarkut San Bernardino konfirmoi se nuk kishte pjesë njerëzore të përfshira, duke e cilësuar ngjarjen si një “shaka të pazakonshme”. Megjithatë, autoritetet theksuan se situata mobilizoi burime të vlefshme emergjente dhe shkaktoi frikë në komunitet, mes shqetësimeve për një vrasës serial të mundshëm.
Z. Villanueva u arrestua të hënën, por mbetet e paqartë nëse ai ka angazhuar një avokat. Nga hetimi ka rezultuar se objekti u krijua nga artisti Robert Kelly në Karolinën e Jugut, i cili pranoi për revistën People se ia kishte shitur një blerësi në Victorville pa dijeni për qëllimet e tij.
“Puna ime është e njohur në komunitetin artistik horror,” tha Kelly, i cili shet krijimet e tij përmes platformës Etsy. “Nuk isha në dijeni se do përdorej për diçka të tillë.”
Sherifi ka premtuar vazhdimin e hetimeve për të zbardhur tërësisht motivet e incidentit dhe ka falënderuar qytetarët që ndihmuan me informacione të vlefshme. Ngjarja ka hapur debat për përgjegjësinë që mbart arti horror dhe kufijtë midis shakasë dhe alarmit publik.