Mediat ukrainase: 41-vjeçarja vdiq në Shqipëri duke shpëtuar vajzën e saj, ambulanca mbërriti me vonesë, në plazh nuk kishte roje

Mediat ukrainase po i bëjnë jehonë lajmit se një 41-vjeçare humbi jetën në Shqipëri duke tentuar të shpëtojë vajzën e saj.

Rasti është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme e Ukrainës, e cila tha se po asiston familjen për rikthimin e trupit të viktimës në atdhe.

Sipas agjencisë UNN, 41-vjeçarja nga Lvivi kishte shkuar me pushime në Vlorë bashkë me tre vajzat e saj, 21, 18 dhe 12 vjeç.

Tragjedia ndodhi më 11 korrik, kur vajza e mesit po mbytej. Nëna u përpoq që ta shpëtonte, por humbi vetë jetën.

Ndërkohë vajza e saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Kurse agjencia tjetër ukrainase, TSN raporton se ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes me gjysmë ore vonesë për shkak të trafikut në Lungomare të Vlorës.

Po ashtu agjencia thekson se në plazhin privat nuk kishte roje bregdetare.