EMRI/ Rrëzimi i avionit të transportit mjekësor në Britani, mes viktimave edhe një mjek

Nga aksidenti ajror i ndodhur ditën e djeshme në Aeroportin e Southendit në Britani, mësohet se një mjek ishte midis katër personave që ndërruan jetë.

Ndërkohë policia ka njoftuar se ende nuk ka gjetur trupin e një viktime.

Sipas mediave të huaja dy pilotë holandezë dhe një infermiere ishin gjithashtu në avionin e transportit mjekësor që kishte lënë një pacient dhe po niste një udhëtim për t'u kthyer në Holandë kur u rrëzua dhe shkaktoi një flakë zjarri rreth orës 3:48 të pasdites të dielën.

Mjeku është identifikuar në media si shtetas gjerman, Dr. Matthias Eyl, 46-vjeç ndërsa infermierja është përmendur në raportet si Maria Fernanda Rojaz Ortiz, 31-vjeç, e cila ishte me origjinë nga Kili dhe shtetase gjermane.

Policia e Essex tha se oficerët po punojnë ngushtë me mjekësinë ligjore dhe nuk janë në gjendje të konfirmojnë zyrtarisht identitetet derisa të bëhet identifikimi zyrtar.