Alarm për cilësinë e ajrit në Kanada dhe SHBA: Qytetarët këshillohen të qëndrojnë brenda për shkak të tymit nga zjarret

Zonat veriore të Shteteve të Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Kanadasë janë përfshirë nga alarme për ndotjen e ajrit, ndërsa tymi i dendur nga zjarret në pyje ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet atmosferike. Agjencia e Mjedisit të Kanadasë ka lëshuar paralajmërime për provincën e Ontarios, duke veçuar Toronton si një nga qytetet me cilësinë më të keqe të ajrit në botë të hënën.

Në SHBA, autoritetet vendosën alarme të ngjashme në zonën e Çikagos dhe në Indianën veriperëndimore, ku përveç efekteve të tymit nga Kanadaja, ndotjen po e përforcojnë edhe nivelet e larta të ozonit. Shërbimi Kombëtar i Motit i Çikagos paralajmëroi se rreziku mbetet aktiv të paktën deri të martën në mbrëmje.

“Kur ndotja është në nivele të larta, të gjithë duhet të kufizojnë kohën jashtë,” njoftoi Environment Canada, duke bërë thirrje për anulim ose shtyrje të aktiviteteve në natyrë. Grupi më i rrezikuar përfshin të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Ndërkohë, kryeministri Mark Carney do të zhvillojë një takim urgjent me ekipet e emergjencës në Ottawa, pasi flakët në Manitoba, Saskatchewan dhe Ontario veriore kanë detyruar evakuimin e mijëra banorëve. Në Newfoundland, një zjarr i ri në gadishullin Bonavista është dyfishuar në madhësi brenda natës, duke shkatërruar kabina pranë Chance Harbour.

Kriza e zjarreve ka kaluar përmasat mjedisore, duke u kthyer edhe në një çështje politike. Gjashtë anëtarë të Kongresit amerikan i kanë dërguar një letër ambasadorit të Kanadasë, ku shprehen se tymi po u prish amerikanëve pushimet verore. Reagimi nga zyrtarët kanadezë nuk ka munguar: kryeministri i Manitobas i akuzoi për “trivializim të një situate vdekjeprurëse”.

Maji dhe qershori kanë qenë veçanërisht shkatërrimtarë për pjesën perëndimore të Kanadasë, me më shumë se 30,000 persona të zhvendosur dhe shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në disa provinca. Ekspertët kanë theksuar se sezonet e përkeqësuara të zjarreve janë një pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike, me Kanadanë që po ngrohet dyfish më shpejt se mesatarja globale, ndërsa rajonet e saj arktike po përballen me ngrohje tre herë më të shpejtë.