Këto vende të BE-së janë të varura nga kondicionerët: Kush konsumon më shumë energji për t'u freskuar?

Ndërsa Evropa përjeton një tjetër valë përvëluese të të nxehtit, ajri i kondicionuar po kthehet në një domosdoshmëri të përditshme në shumë prej vendeve më të goditura nga temperaturat ekstreme.

Të dhënat e fundit nga Eurostat tregojnë se Italia është konsumatori më i madh i ajrit të kondicionuar në Bashkimin Evropian, duke përbërë mbi një të tretën e gjithë energjisë elektrike të përdorur për këtë qëllim në të 27 vendet anëtare. Vetëm gjatë vitit të fundit, vendi ka konsumuar rreth 23,000 terajoule për ajrim, pavarësisht kostove të larta të energjisë elektrike.

Italia është ndikuar rëndë nga valët e të nxehtit vitet e fundit, me temperatura që kanë kapur deri në 48°C në rajone si Siçilia dhe Sardenja. Bashkë me motin ekstrem, popullsia më e vjetër në Evropë e bën vendin veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të nxehtësisë. Greqia, edhe pse shumë më e vogël në madhësi, renditet e dyta në BE për përdorimin e kondicionerëve, duke konsumuar mbi 8,000 terajoule, e ndjekur nga Franca, Spanja dhe Gjermania.

Në mënyrë interesante, përdorimi i ajrit të kondicionuar përbën vetëm 0.6% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në familjet evropiane. Pjesa më e madhe, 62.5%, përdoret për ngrohjen e dhomave, e ndjekur nga ngrohja e ujit (15%) dhe ndriçimi (14.5%).

Viti 2025 po rezulton ndër më të nxehtët në historinë e kontinentit. Portugalia ka shënuar temperaturën më të lartë me 46.6°C në Mora, duke lënë pas Spanjën me 46°C në El Granado dhe Greqinë me 43.2°C në Skala të Peloponezit. Zjarret në Spanjë dhe Greqi kanë detyruar evakuimin e mijëra banorëve dhe kanë shkaktuar disa viktima.

Megjithatë, mes këtyre sfidave klimatike, ka edhe shenja pozitive: konsumatorët evropianë janë bërë më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë. Nga një nivel historik prej 11 milionë terajoulesh në vitin 2021, konsumi ka rënë në 9.6 milionë, me familjet që përbëjnë 26.2% të konsumit total. Energjia elektrike dhe gazi natyror vijojnë të jenë burimet kryesore, përkatësisht me 25.9% dhe 29.5%.

Ndërsa vala e të nxehtit intensifikohet, mbetet për t’u parë nëse teknologjitë më efikase dhe politikat klimatike do të jenë në gjendje të zbusin varësinë në rritje të Evropës nga sistemet ftohëse./ Euronews - Syri.net