Operacioni i tatimeve/ Sharka: PO përhapin panik tek prodhuesit, qeveria dështoi në formalizmin e ekonomisë

I ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv ka qenë Eduart Sharka nga Departamenti i Bujqësisë në Partinë Demokratike.

Ne bisedë me moderatorin Arnold Kariqi ai ka komentuar aksionin e fundit të inicuar nga Rama që i kërkon faturë për çdo mall bujqësor dhe blegtoral.

Eduarta Sharka: Është një show për të tërhequr vëmendjen, për shpërqendrim vëmendje të opinionit publik. Në fakt ka pak lidhje me sigurinë ushqimore. Por nuk është ky thelbi i garantimit të sigurisë ushqimore. Natyrisht që unë mund të jap me dhjetëra shembuj që edhe në skandalet që janë zbuluar në Shqipëri, salmonela apo sëmundje të tjera që dëmtojnë shëndetin janë zbuluar me mall apo produkte që qarkullon me faturë. Fatura në vetvete të garanton gjurmueshmërinë e produktit apo të mallit. Pra nëse ti e zbulon një mall që është i kontaminuar qenia me faturë tatimore e zbulon origjinën dhe mban përgjegjësinë.

Por është post factum. Në fakt për të garantuar sigurinë ushqimore duhet tjetër gjë. Duhet një sistem i tërë i parandalimit i garantimit të standardit të cilësisë së produkteve blegtorale dhe ushqimore. Thënë këtë nuk jam duke thënë se nuk duhet fatura tatimore. Por është qesharak fakti që hedh administratën tatimore në një aksion të tillë qesharak sepse në puna e tyre e përditshme kjo është. Në fakt asnjë mall në treg nuk duhet të jetë pa faturë. Nuk është gjë e re kjo. Por të bësh një fushatë të tillë, në fushën fiskale është një autogol i madh. Qeveria vetë ka pranuar që ka dështuar në formalizmin e ekonomisë. Pranon që s’duhet të kishte mallra pa faturë. Por kane hapur një panik të madh tek, prodhuesit, fermerët dhe blegtorët. Për këtë unë ju falënderoj që më dhatë mundësinë që të jap një sqarim të rëndësishëm.

Asnjë fermer dhe asnjë blegtor deri ne 100 milionë të vjetra në vit, produkte të hedhura në treg nuk ka detyrimin tatimor që të emetojë faturë vetë. Kur një subjekt tregtar blen tek fermeri qoftë produkt bujqësor apo blegtoral, ka ai detyrimin ligjor që të emetojë faturën. Autofaturë quhet, e emeton blerësi. Dhe të kapësh fermerët duke shitur produktin e tij, nuk mund ta akuzosh se nuk ka faturë dhe nuk mund ta sanksionosh ligjërisht sepse ai nuk ka faturë. Sepse në asnjë dispozitë ligjore nuk thuhet që ai emeton faturë për produktin që shet.

Por për të garantuar sigurinë ushqimore duhet diçka tjetër që ne e kemi thënë dhe e kishim në programin tonë të detajuar. Siguria ushqimore garantohet kur çdo produkt i hedhur në treg dhe që konsumohet nga shoqëria duhet të ketë certifikatën e origjinës dhe atë sanitare. Kjo nuk ka lidhje me faturën. Certifikatën fito sanitare e lëshon agronomi, që mbulon fermerin që prodhon produkte bujqësore dhe veterineri që mbulon atë që prodhon produkte blegtorale.