Fushata iraniane e financimit kolektiv pretendon se ka mbledhur 40 milionë dollarë për vrasjen e Trump-it

Një lëvizje iraniane e quajtur “Besëlidhja e gjakut” pretendon se ka mbledhur mbi 40 milionë dollarë përmes një fushate të financimit kolektiv (crowdfunding) si shpërblesë për vrasjen e presidentit Donald Trump, sipas Institutit për Kërkime Mediatike të Lindjes së Mesme (MEMRI).

Një faqe interneti e kësaj lëvizjeje përmbante një poster ku Trump paraqitej në shënjestër, me një thirrje për të dhuruar “për të ndihmuar në vendosjen e paqes së qëndrueshme”, raportoi organizata jofitimprurëse. Po ashtu thuhej se posteri citonte një varg nga Kurani: “Luftoni me pasurinë dhe jetën tuaj në rrugën e Allahut.”

“Kjo është një thirrje për xhihad, që u bën thirrje besimtarëve të dhurojnë para dhe të flijojnë jetën e tyre,” tha MEMRI. “Posteri i jep legjitimitet fetar vrasjes së Trump-it.”

Kërcënimi i dukshëm vjen disa javë pasi SHBA ndërmori sulme të fuqishme ajrore ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Në Iran, në ditët e fundit ka pasur rritje të thirrjeve të hapura për vrasjen e Trump-it, nga struktura fetare e regjimit iranian, për shkak të një kërcënimi të supozuar të Trump për të vrarë udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenei, ndonëse vetë Trump ka thënë se e ka parandaluar një lëvizje të tillë,” tha MEMRI. “Këto thirrje mbështeten nga fetva të lëshuara në fund të qershorit nga ajatollahë të mëdhenj iranianë. Fetvat deklarojnë se dënimi për Trump-in është i njëjtë me atë të një muharebi, armik i Allahut dhe i Islamit, dhe ai është vdekja, si dhe lejimi i derdhjes së gjakut të tij.”

“Zyrtarë të regjimit iranian, përfshirë anëtarë të Asamblesë së Ekspertëve që janë afër udhëheqësit suprem Ali Khamenei, klerikë të lartë dhe ligjërues në seminaret e Howza-e Ilmiyya, si dhe predikuesit zyrtarë të së premtes, po bëjnë thirrje të qarta për vrasjen e Trump-it,” shtoi MEMRI.

“Fakti që këto thirrje për vrasjen e Trump vijnë nga lart dhe po përhapen në rrugë dhe në të gjitha shtresat e shoqërisë, përfshirë edhe median iraniane, nënvizon thellësinë dhe uniformitetin e nxitjes institucionale të regjimit,” thuhet më tej. “Kjo pasqyron një konsensus të gjerë fetar dhe shtetëror, të përforcuar nga theksimi i përsëritur i shpërblimit që mund të marrë kushdo që kryen ndëshkimin ndaj Trump-it, përveç 40.3 milionë dollarëve, edhe Parajsën dhe statusin e mbrojtësit të Islamit.”

Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive pretendoi se një shtetas iranian dhe ish-punonjës i Transmetuesit të Republikës Islamike të Iranit, i përshkruar si “rrjeti kryesor propagandistik i regjimit”, është pas krijimit të faqes së internetit të “Besëlidhjes së gjakut”.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Fox News Digital për koment të hënën.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se administrata Trump është në dijeni të kërcënimeve kundër presidentit, sipas Washington Free Beacon. / Fox News - Syri.net