SYRI TV/ Aksioni ndaj 'rigonit' dhe qumështit, reagojnë shitësit ambulantë në vend
Një ditë pasi administrata tatimore zbriti në terren, duke bllokuar prodhime bujqësore dhe blegtorale, kanë reaguar fermerë dhe shitës nga disa qytete të vendit.
Për 'Syri Televizion', tregtarët e kanë cilësuar aksionin e qeverisje si goditje të qytetarëve të thjeshtë, që mbijetesën e sigurojnë duke shitur qumësht, prodhime bujqësore apo erëza që i rrisin në fermat e tyre familjare.
Teksa akuzojnë qeverinë se i ka braktisur duke u dhënë pensione qesharake, qytetarët shprehen se goditja ndaj tyre bëhet për të favorizuar supermarketet.
Kjo është Fatbardha Nesturi, një nga shitëset e tregut ditor në Sarandë, që u bë virale për depatet e saj me përfaqësuesit e shtetit, që i kërkonin certifikatën e origjinës për rigonin. Një ditë pas aksionit shtetëror në tezgat ku ajo siguron të ardhura për të mbajtur familjen, Fatbardha Nesturi tregon se prodhimet e saj janë kryesisht të marra në fshat, përfshi edhe Rigonin, që e mbledh me bashkëshortin në mal për të cilin është konfuze sesi mund t`i sigurojë cetifikatë origjine.
Në Sarandë dhe në të paktën 5 qytete të tjera të vendit, si: Korça, Elbasani, Shkodra, Vlora dhe Gjirokastra, Syri Televizion pyeti shitës ambulantë, që tregtojnë kryesisht qumësht apo prodhime bujqësore, të cilat i prodhojnë në fermat e tyre.
Gjithashtu shitësit shprehen se shteti nuk mund të ndërmarrë masa ndaj tyre, pasi deri më sot nuk u ka krijuar asnjë kusht siç janë ndërtimet e tregjeve ku ata duhet të shesin prodhimet e tyre.
Ka dhe nga ata që shprehen se shteti s`mund t`ju hapë luftë atyre që sigurojnë bukën e gojës duke shitur dy shishe qumësht, ndërsa abuzuesit e mëdhenj janë nuk preken.
Disa qytetarë, thonë se aksioni i qeverisë bëhet që të goditen shitësit e vegjël me qëllim që të favorizohen supermarketet dhe tregtarët e mëdhenj.
Të hënën, nisi një aksion në markatat e fruta-perimeve dhe dyqanet e bulmetit ku inspektorët e tatimeve vunë në shënjestër shitës ambulantë, duke shkuar deri në absurd, sa kërkonin edhe certifikatë origjine për rigonin, një erzë që rritet masivisht në malet shqiptare.