Koalicioni i Netanyahut ‘në fije të perit’, partia ultra-ortodokse njofton daljen

Largimi i Judaizmit të Bashkuar të Torës e lë Netanyahun me një shumicë të vogwl, në një koalicion qeveritar të dominuar nga dy parti të ekstremit të djathtë.

Një partner kyç qeverisës i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se shtatë anëtarët e parlamentit do të largoheshin nga qeveria e koalicionit të martën, duke kërcënuar të destabilizojnë sundimin e udhëheqësit izraelit, në një pikë kritike të luftës në Gaza.

Partia ultraortodokse United Torah Judaism tha se do të largohej nga koalicioni për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një projektligji, që do të kodifikonte përjashtimet e gjera nga rekrutimi ushtarak për zgjedhësit e tyre, shumë prej të cilëve studiojnë tekste hebraike në vend që të regjistrohen në ushtri.

“Pasi qeveria shkeli në mënyrë të përsëritur angazhimet e saj për të siguruar statusin e studentëve hebrenj të seminareve”, tha në një deklaratë fraksioni Degel HaTorah i partisë, ligjvënësit e saj njoftuan “dorëheqjen e tyre nga koalicioni dhe qeveria”.

Një marrëveshje dhjetëravjeçare u lejoi dhjetëra mijëra hebrenj ultra-ortodoksë të shmangnin shërbimin e detyrueshëm ushtarak të vendit, dhe në vend të kësaj të studionin tekste fetare.

Partia dëshiron që qeveria të miratojë një ligj, që do të formalizonte përjashtimet nga shërbimi ushtarak për zgjedhësit e saj - një çështje thellësisht përçarëse midis hebrenjve laikë dhe fetarë, veçanërisht që kur lufta në Gaza ka rritur kërkesat për fuqi punëtore ushtarake.

Pas vitesh betejash ligjore, Gjykata e Lartë e vendit vendosi vitin e kaluar unanimisht se ushtria duhet të fillojë rekrutimin e burrave ultra-ortodoksë për shërbim të detyrueshëm. Që atëherë, ushtria është përpjekur të rrisë thirrjet për burrat ultra-ortodoksë, por pa sukses.

Ndërsa largimi i Judaizmit të Bashkuar të Torës nuk ndikon menjëherë në sundimin e Netanyahut, udhëheqësi izraelit tani ka një shumicë të ngushtë prej një vendi në parlament.

Kjo lë të hapur mundësinë që partia e dytë, më e madhe ultra-ortodokse, Shas, e cila ka 11 vende, të ndjekë të njëjtën rrugë, një veprim që do të eliminonte shumicën e kryeministrit.

Knesseti tani është më i varur nga dy parti të ekstremit të djathtë që përbëjnë koalicionin. Të dyja kundërshtojnë lëshimet në negociatat e armëpushimit me Hamasin dhe vetë kanë dhënë dorëheqjen ose kanë kërcënuar të japin dorëheqjen nga qeveria, për shkak të përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Gaza.

Largimi i United Torah Judaism ka një dritare prej 48 orësh përpara se të bëhet zyrtar, që do të thotë se Netanyahu ende mund të gjejë mënyra për të kënaqur partinë dhe për ta rikthyer atë në koalicion.

Por Shuki Friedman, nënkryetar i Institutit të Politikave të Popullit Hebraik, tha se boshllëqet midis projektligjit që është aktualisht në tryezë dhe kërkesave të partisë janë ende të mëdha, duke e bërë një kompromis të pamundur gjatë asaj kohe.

Ministri i kabinetit, Miki Zohar, nga partia Likud e Netanyahut, tha se shpresonte që partia të mund të bindej të rikthehej në koalicion. "Me vullnetin e Zotit, gjithçka do të shkojë mirë", tha ai.

Kjo tronditje politike vjen në një kohë kur Izraeli dhe Hamasi po zhvillojnë bisedime indirekte mbi kushtet e një armëpushimi në luftën 21-mujore në Gaza.

Pavarësisht presionit të madh nga SHBA-të për të rënë dakord për një marrëveshje dhe ndërmjetësimit nga Egjipti dhe Katari, nuk është arritur asnjë përparim në bisedime./ Euronews.