'Sekuestrimi i qumështit pa faturë', Teliti: Qeveria zhvendos vëmendjen nga problemet e vërteta

Dorian Teliti, ekspert i çështjeve të ekonomisë, komentoi ditën e sotme në 'Kafe Shqeto',  aksionet e fundit të qeverisë të ndërmarra në emër të sigurisë ushqimore.

Ai shprehu shqetësimin se këto masa nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale që po përjeton vendi, duke nisur nga kriza në sektorin e bujqësisë, mungesa e laboratorëve shtetërorë për kontrollin e produkteve, deri te ndikimi negativ që kanë këto ndërhyrje mbi fermerët dhe prodhuesit vendas.

Sipas Telitit, fushatat që duken si “reforma majdanozi apo koperi të rozmarinës” janë më shumë për konsum publik dhe spektakël mediatik, sesa për zgjidhje reale të problematikave që lidhen me cilësinë dhe sigurinë e produkteve që konsumojnë shqiptarët.

Ai theksoi se qeveria duhet të merret me shkaqet rrënjësore të mungesës së sigurisë ushqimore, si përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe importet e pasigurta, dhe jo të ndëshkojë në mënyrë selektive prodhuesit e vegjël që mezi mbijetojnë në një treg të pabarabartë.

Dorjan Teliti:

"Reforma majdanozi, reforma koperi të rozmarinës. Ka diçka prej së cilës kryeministri do që të heqë vëmendjen, nuk e di se ç’po ndodh, ndoshta do e marrim vesh në ditët në vijim, ka diçka të cilës kryeministri mundohet t’i heqë vëmendjen e të merret me këto cicërimat e vogla.

Shiko, që ne kemi problematika me sigurinë ushqimore, nuk diskutohet, por ta nisë kryeministri dhe qeveria që nga pesticidet që përdoren në sektorin e bujqësisë, jo nga një grusht njerëzish që ju imponohen, madje edhe bujqve dhe fermerëve me cilësinë skandaloze dhe me çmimet më të larta në rajon.

Le të merret kryeministri me problematika, se si është e mundur që sot kemi përgjysmim me numrin e krerëve në Shqipëri, pastaj të merret me qumështin.

Patjetër që siguria ushqimore është e rëndësishme, ka të bëjë me jetën e njeriut, por kujtohesh një ditë të bukur të thuash se qenka qumështi problem në këtë vend, apo rigoni i asaj plakës që u shpërnda nëpër rrjete sociale, ku e pyeste tatimorja se ku e ke faturën. E mora ë mal, thoshte ajo. Ku ta merrte ajo e shkreta faturën atje?!

Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë, kemi parë dhe herë të tjera kur vjen policia bashkiake e merr arkat me domate, patëllxhana apo kastraveca ku fshatari ka punuar gjithë vitin për të arritur te ai produkt, këta vijnë e marrin dhe ia konfiskojnë.

Dje bënë këtë, sot ti bënë këtë tjetrën në emër të sigurisë ushqimore, ndoshta nesër dhe në emër të dikujt tjetër, e këto janë pamje të trishta, nuk duhet t’i shikojmë.

Nëse duan të flasin për sigurinë ushqimore, duhet marrë te pjesa se si është e mundur që na hyri pula me salmonelë? Nuk foli njeri për një muaj e ca derisa u konsumua pula nga shqiptarët.

Nga ky aksion nuk fiton shqiptari, as fermeri, fiton ai grushti i importuesit. Çfarë ka bërë shteti për sigurinë ushqimore? Ku janë laboratorët e shtetit?".