'50 ditë afat Rusisë për armëpushimin'/ Premtimi i Trump për armët shënon një hap të madh përpara për Ukrainën
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një iniciativë të re ushtarake për Ukrainën, duke premtuar për herë të parë që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë furnizimin e Kievit me armë të reja. Marrëveshja, e ndërtuar nëpërmjet një formule të re, parasheh që SHBA-të t’u shesin armë anëtarëve të NATO-s, të cilët më pas do t’i dërgojnë ato në Ukrainë.
Trump nuk dha shumë detaje, por e përshkroi ndihmën si “pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë”. I pyetur nëse përfshihen sistemet mbrojtëse Patriot dhe raketa interceptuese, ai u përgjigj shkurt: “Është gjithçka”. Sipas tij, një vend evropian që zotëron 17 sisteme të tilla, do të dërgojë “një pjesë të madhe” drejt Ukrainës në ditët në vijim.
Ky zhvillim përbën një ndryshim të rëndësishëm për Ukrainën, e cila aktualisht operon me një numër të kufizuar baterish Patriot dhe përballet përditë me sulme ajrore nga raketa dhe dronë rusë. I ulur pranë presidentit amerikan në Zyrën Ovale, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se paketa e ndihmës është “më e gjerë se Patriotët” dhe përfshin gjithashtu raketa, municione dhe teknologji të tjera luftarake.
Pak javë më parë, në Kiev ishte ndezur alarmi pas lajmit se Pentagoni kishte pezulluar përkohësisht dërgesat ushtarake për Ukrainën. Trump u përpoq ta sqarojë këtë vendim, duke thënë se pauza ishte bërë me bindjen se marrëveshja e re me NATO-n do të realizohej.
“Nuk duam ta paguajmë vetëm ne faturën,” tha Trump. “Do të shpenzojmë shumë para, por nuk duam ta bëjmë më kështu.”
Marrëveshja është cilësuar si një sukses diplomatik për Mark Rutte-n, i njohur tashmë si “pëshpëritësi i Trump-it”, i cili ka luajtur një rol kyç në bindjen e aleatëve për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të PBB-së dhe për të përfshirë vende si Gjermania, Britania e Madhe, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Hollanda në këtë nismë. Rutte theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se “do të ketë të tjera”.
Në një lëvizje të papritur, Trump vendosi edhe një ultimatum për Moskën: nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditëve të ardhshme, Rusia dhe partnerët e saj tregtarë do të goditen me tarifa dytësore prej 100%. Kjo strategji synon të godasë vendet si Kina dhe India që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz nga Rusia, një ide e mbështetur prej kohësh nga Ukraina dhe kongresi amerikan.
Ndërkohë, Senati në SHBA po shqyrton një projektligj që parashikon sanksione edhe më të ashpra – përfshirë tarifa dytësore deri në 500%. Por Trump e minimizoi rëndësinë e tyre në planin afatgjatë, duke thënë se në një moment të caktuar “nuk ka rëndësi”.
Megjithëse detajet e kërcënimeve të Trumpit mbeten të paqarta, kjo lëvizje shihet si një pikë kthese: një distancim i kujdesshëm nga qasja e mëparshme e tij pro-Putin dhe një përpjekje për të mbajtur të hapur furnizimet me armë për Ukrainën – me kusht që barrën financiare ta mbajnë aleatët.
Por për qytetarët ukrainas që përballen çdo natë me terrorin e raketave dhe dronëve, 50 ditët e ardhshme do të duken të gjata dhe të pasigurta. Ndihma e premtuar e Trumpit mund të ndryshojë terrenin ushtarak, por nuk jep ende një përgjigje të qartë se si do të ndalet lufta./ BBC - Syri.net