Nigeria shpall të martën festë zyrtare në nder të ish-liderit që vdiq në moshën 82 vjeç

Qeveria e Nigerisë ka shpallur të martën festë zyrtare për të nderuar ish-Presidentin Muhammadu Buhari, i cili vdiq të dielën në moshën 82-vjeçare në një klinikë në Londër, pas një beteje të gjatë me probleme shëndetësore.

Presidenti aktual, Bola Ahmed Tinubu, i cili kishte shpallur më herët një periudhë zie kombëtare shtatëditore, miratoi të martën si ditë pushimi zyrtar në kujtim të paraardhësit të tij.

“Kjo festë publike u ofron të gjithë nigerianëve një mundësi për të reflektuar mbi jetën, udhëheqjen dhe vlerat e tij”, deklaroi ministri i Brendshëm i vendit. Buhari do të varroset në qytetin e tij të lindjes, Daura, në shtetin Katsina, të martën pasdite. Guvernatori i Katsinës, Dikko Radda, njoftoi se kufoma e ish-presidentit do të mbërrijë në orën 12:00 në aeroportin e Katsinës dhe varrimi do të kryhet deri në orën 14:00.

Sipas autoriteteve, funerali që fillimisht ishte planifikuar për të hënën, u shty për arsye logjistike. Eshtrat e Buharit do të transportohen nga aeroporti direkt në vendin e prehjes në Daura, rreth 80 kilometra nga qyteti i Katsinës. Shtëpia e ish-presidentit tashmë është mbushur me të afërm dhe qytetarë të zakonshëm që po presin për të nderuar njeriun që udhëhoqi vendin si ushtarak dhe më pas si president i zgjedhur.

Zëvendëspresidenti njoftoi se Buhari vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër, pa dhënë detaje të tjera, ndërkohë që, në përputhje me ritet islame, nuk do të mbahet një ceremoni shtetërore, por një funeral i thjeshtë dhe privat. Kleriku islamik Abdullahi Garangamawa tha për BBC-në se varrimi do të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Homazhet për gjeneralin e ndjerë të ushtrisë kanë qenë të shumta. Ish-presidenti Goodluck Jonathan, i cili u mund nga Buhari në zgjedhjet e vitit 2015, e përshkroi atë si “altruist dhe të përkushtuar në shërbimin ndaj vendit”. Edhe Gjenerali Ibrahim Babangida, i cili e rrëzoi Buharin nga pushteti në vitin 1985, e lavdëroi si “një busull morale dhe shembull modestie në jetën publike”.

Presidenti Tinubu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e lutjeve në Daura dhe ka urdhëruar që flamujt kombëtarë të qëndrojnë në gjysmështizë në gjithë vendin deri në përfundim të zisë kombëtare.