Tre vende debutuese në hapësirë përfundojnë me sukses misionin e parë privat në ISS

Tre shtete më në fund kanë shënuar praninë e tyre në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas më shumë se katër dekadash mungesë. India, Polonia dhe Hungaria u përfaqësuan për herë të parë në ISS përmes një misioni privat të organizuar nga kompania Axiom Space dhe të kryer me ndihmën e SpaceX.

Ekuipazhi, i përbërë nga Shubhanshu Shukla, Slawosz Uznanski-Wisniewski dhe Tibor Kapu, u kthye të hënën në Tokë pas një misioni të shkurtër, i cili përfundoi me një ulje në Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë Jugore.

Tre astronautët u shoqëruan nga veteranja amerikane e hapësirës, Peggy Whitson, dhe qëndruan në ISS që nga nisja e tyre më 25 qershor nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s. Gjatë qëndrimit, ata zhvilluan dhjetëra eksperimente shkencore dhe komunikuan me liderët politikë të vendeve të tyre, si dhe me nxënës shkolle që ndiqnin me pasion këtë arritje historike.

“Këto gjëra janë të mundshme edhe për vende më të vogla si i yni”, deklaroi emocionuar Kapu gjatë ceremonisë së lamtumirës, ndërsa Shukla theksoi bashkëpunimin ndërkombëtar duke e cilësuar “një mrekulli” të vërtetë. Nga ana tjetër, Uznanski-Wisniewski vlerësoi hapësirën si një horizont të ri për të gjitha kombet: “Qielli nuk është më kufiri.”

Kostoja e këtij misioni privat u nda midis tre vendeve pjesëmarrëse, duke kapur shifrën mbi 65 milionë dollarë për secilin shtet. Ky ishte misioni i katërt i organizuar nga Axiom që nga viti 2022, një kompani me bazë në Hjuston që u ofron shërbime udhëtimi në hapësirë si miliarderëve ashtu edhe shteteve që synojnë të ndërtojnë përfaqësim në orbitë.

NASA mbështet iniciativat komerciale si kjo, në funksion të krijimit të stacioneve hapësinore private dhe uljeve të ardhshme në Hënë. Ndërkohë, shtatë astronautët me kohë të plotë të ISS vazhdojnë misionet e tyre, duke përfaqësuar SHBA-në, Rusinë dhe Japoninë. Katër prej tyre pritet të zëvendësohen së shpejti nga një ekuipazh i ri i nisur nga SpaceX.

“Udhëtim të mbarë për në shtëpi në planetin më të mirë në sistemin diellor”, u dëgjua të thotë përmes radios astronautja Anne McClain në çastin e nisjes së ekuipazhit drejt Tokës.