Sarandë/ Kapën me armë dhe tentojnë t’i ikin policisë, arrest me burg për 3 persona
Gjykata e Sarandës ka lënë në burg tre persona, të cilët lëviznin me armë në një automjet luksoz të premten në mbrëmje.
Me kërkesë të prokurores Hava Memko, gjyqtari Fatmir Ndreu caktoi sot masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjeçarin Endrit Doku, 27-vjeçarin Ervis Cukali dhe 21-vjeçarin Imer Gega, të tre nga Kamza.
Ata u ndaluan mbrëmjen e së premtes nga efektivët e forcave “Shqiponja” të Komisariatit të Sarandës, në rrugën “Butrinti”, teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche Panamera”. Njëri prej tyre, pikërisht Endrit Doku, tentoi t’i shmangej kontrollit duke u hedhur në det bashkë me çantën që mbante me vete. Ai u kap nga skafi i policisë kufitare Sarandë, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi çantën me një armë zjarri (pistoletë) brenda saj.
Ndaj tij, policia ngriti akuzat “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”. Ndërsa dy të tjerët u arrestuan për akuzat “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ervis Cukali ndërkohë rezultoi person në kërkim prej dy vitesh për akuzat “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Fier, ku ishin zbuluar 21 kg tritol.