Haki Çako e pranon dështimin dhe implikimin: Shumë policë të lidhur me drogën

Drejtori i Policisë Haki Çako pranoi sot dështimin e policisë, duke thënë se kanë qenë të shumta rastet e implikimit të policisë në trafikun e kanabisit. Disa prej këtyre rasteve janë bërë publike e disa të tjera jo.

‘Janë hetuar dhe verifikuar gjithësej 51 punonjës policie ku ndër ta nuk kanë munguar të arrestuarit të përjashtuar nga policia 14 dhe një numër i konsiderueshëm të ndëshkuar me masa disiplonore.

Gjatë kësaj periudhe në sistemin policor janë administruar gjithësej 1844 informacione policore vetëm në drejtim të kultivimit të kanabisit. Këtë vit në bashkëpunim me policinë italiane për monitorimin nga ajri. Deri në datën 16 korrik janë kryer 10 fluturime nga Guardia Di Finanza dhe janë administruar 7 raporte monitorimi’, tha Haki Çako.

Ndërsa ka publikuar në faqen e tij në Facebook, mbledhjen e Task Force për raportim në Zyrën Operacionale të Situatës, Edi Rama shkruan se “Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala FUND në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën. Për Shqipërinë që duam”.

Në raportim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, deklaroi se çdo polic ka marrë përgjegjësitë e veta për monitorimin e territorit.

Ai shprehu bindjen se ky vit do të ketë numrin më të ulët të bimëve narkotike, gjatë gjithë historisë së tranzicionit. Duke dhënë shifrat e sekuestruara të kanabisit, ai deklaroi se këtë vit kultivimi i kanabisit ka qenë më i ulët se kurrë më parë.