'Prishjet e ndërtimeve në Theth janë terror politik'/ Abilekaj: Rama në 12 vite betonizoi Tiranën dhe bregdetin

Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin Task Force në Syri TV me moderatoren Sonila Meço, ka komentuar prishjet e ndërtimeve në Theth, duke i cilësuar ato si një formë terrori politik dhe jo një përpjekje të sinqertë për rregullim territorial.

Ai solli në vëmendje një video që po qarkullon gjerësisht, ku një banore e Thethit rrëfen premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe arsyet pse e kishte votuar, ndërsa në fund shprehet me keqardhje: “Mu thafshin krahët që e votova.”

Sipas Abilekajt, kjo video përmbledh më së miri zhgënjimin e banorëve të zonës pas tre vizitave të Ramës në Theth që nga viti 2024 deri më tani, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë asgjë përveç premtimeve të përsëritura.

“Problemi është që ai do të vazhdojë me një gënjeshtër të re për të zhbërë gënjeshtrat e mëparshme, por gënjeshtra nuk zhbëhet, ajo vetëm rritet. Zullumi rritet me gënjeshtrën e re dhe dëmi po ashtu,” u shpreh gazetari.

Abilekaj akuzoi kryeministrin se nuk ka pasur asnjë kontroll mbi territorin në 12 vitet e qeverisjes, duke vënë në pikëpyetje çdo lloj premtimi për rregullim apo kontroll territorial tani. “Çfarë besimi mund të kemi që pas 12 vitesh mungesë totale të kontrollit, tani do të vendosë kontroll?”, tha ai.

Ai e quajti këtë aksion një përpjekje për të larguar vëmendjen nga zgjedhjet dhe për të nisur mandatin e katërt me një zhurmë të fabrikuar, ndërsa sipas tij, në këto 12 vite, territori është shkatërruar nën drejtimin e Edi Ramës.

“Lejet e dhëna prej tij kanë betonizuar bregdetin në mënyrë të pakthyeshme. Nuk mund të krahasohen me shtëpitë e drurit që ndërtojnë ata të shkretët në Theth,” shtoi gazetari.

Sipas Abilekajt, deklaratat e Ramës në mbledhjen e fundit, ku tha se do të ndërkombëtarizojë çështjet e ujit dhe plehrave, janë pjesë e të njëjtit mekanizëm propagandistik që nuk sjell zgjidhje reale, por vetëm zhurmë për të fshehur dështimet.

Abilekaj:

Videoja më e bukur e Thethit është ajo gruaja e cila tregon se çfarë i premtoi Edi Rama dhe pse e votoi Edi Ramën, dhe thotë: mu thafshin krahët që e votova.

Atë kanë kuptuar njerëzit nga 3 vizitat e Ramës që nga 2024 deri më tani në Theth.

Pra në më pak se një vit ai shkoi 3 herë para zgjedhjeve dhe u premtoi 3 herë të njëjtën gjë.

Problemi është që ai do të vazhdojë një gënjeshtër të re që të zhbëjë gënjeshtrat e mëparshme, por nuk mund të zhbëhet, gënjeshtra vetëm rritet.
Zullumi rritet me gënjeshtrën e re, dhe dëmi rritet me gënjeshtrën e re.

E zëmë se Rama ka thënë për kullat e gjyshërve, i bie se ai nuk ka pasur në 12 vjet asnjë kontroll mbi territorin.

Atëherë çfarë besimi kemi ne që pas 12 vitesh mungesë kontrolli total mbi territorin, ky do vendosë kontroll mbi territorin?

Ky është një terror që bën për hir të fillimit të mandatit të 4 dhe të shuarjes së zhurmës së zgjedhjeve nga opozita, dhe jo një tentativë e sinqertë për të pastruar dhe rregulluar territorin.

Në këto 12 vite territori është nxitur të prishet nga Edi Rama, përveç se mund të themi që ato që jepen me leje nga Rama janë shkatërrim territori më shumë se ato shtëpitë e drurit që ndërtojnë ata të shkretët, sepse nëqoftëse ne do të shikojmë të gjithë bregdetin shqiptar të betonizuar… pra i gjithë territori është betonizuar me leje nga Rama dhe në mënyrë të pakthyeshme, nuk mund të krahasohet me Thethin.

Pra ne nuk kemi asnjë tentativë për të rregulluar territorin sepse në të njëjtën kohë ai na deklaron, në mbledhjen e sotme për shembull, që ne do të rregullojmë dhe ujin, do e ndërkombëtarizojmë çështjen e ujit, pastaj thotë do e ndërkombëtarizojmë çështjen e plehrave.