Performanca e shkurtër e Drake në Londër lë fansat të pakënaqur

Fansat kanë mbetur të zhgënjyer në Festivalin Wireless në Londër, pasi këngëtari që mblodhi mbi 50 mijë spektatorë atje, Drake e përfundoi performancën papritur pas vetëm 40 minutash.

Sipas agjendës zyrtare, reperi pritej të kishte dy paraqitje një në orën 18:25 dhe më pas në 20:55 por seti i parë u anulua pa shpjegim gjatë ditës.

Në setin e rradhës Drake u ngjit në skenë 10 minuta më herët dhe i paralajmëroi fansat se do të performonte derisa t’i ndërprisnin mikrofoni, duke iu referuar ndalimit të muzikës në orën 21:30, sipas rregullave të reja të vendosura nga autoritetet lokale për ruajtjen e qetësisë publike.

Ndryshe nga pritjet dhe nga heret e tjera ku Drake ka sjellë deri në 13 artistë surprizë, në këtë performancë ai solli vetëm tre të ftuar specialë: Popcaan, Rema dhe Vybz Kartel.

Në veçanti, Central Cee, me të cilin reperi lansoi një këngë të re gjatë performancës, nuk ishte fare pjesë, por u dëgjua vetëm përmes regjistrimit, duke lënë hapësirë për spekulime mbi arsyet e mungesës së tij.

Drake u përpoq të rikthente energjinë e fansave duke interpretuar disa nga hitet e tij më të mëdha si “Controlla”, “Find Your Love” dhe “One Dance”, të cilat ishin rimiksuar për vitin 2025.

Megjithatë nuk arritën të ngjallnin reagimet që priteshin, pasi shumë fansa e kishin të vështirë të këndonin versionet e ndryshuara.