SYRI TV/ 22 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, zjarret në Dibër, Fier, Rrogozhinë, Elbasan
Shqipëria vijon të jetë e përfshirë nga flakët. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 5 prej tyre janë ende aktive.
Për pasojë, nga zjarret janë djegur sipërfaqe të shumta me shkurre, pisha dhe ullishte.
Vendi ynë vijon ende të jetë nën pushtimin e flakëve si pasojë e temperaturave të larta. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 vatra zjarri në të gjithë vendin, ku 5 janë ende aktive, si në bashkitë Dibër, Rrogozhinë, Elbasan, Fier dhe Malësinë e Madhe. Këtë të hënë janë aktivizuar tre vatra zjarri në Drenovë të Mallakstrës.
Nga flakët janë përfshirë masive pyjore me pisha, të favorizuara edhe nga era e fortë, ndërkohë që po punohet nga ajëri për shuarjen e tij. Për pasojë, janë djegur rreth 2.5 hektarë me shkurre e ferra dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Prej disa ditësh vijon ende zjarri në Dibër, në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, ku janë djegur sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Po në këtë qark, shërbimet zjarrfikëse po mbajnë në kontroll dy vatra zjarri të riaktivizuar në “Malin e Peladhisë”, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Gjithashtu, dhe në fshatin Sinë e Sipërme, pjesë e njësisë administrative Arras, bashkia Dibër, janë djegur rreth 4 hektarë sipërfaqe pyjore. Ka vijuar edhe këtë të hënë puna për shuarjen e flakëve në Zambishë të Rrogozhinës, i cili u përhap dhe në disa fshatra të tjera, si Okshtun, Levonjë, Himenrajë, Memollaj, Thertor, Koçaj, Sheshaj dhe Brendaj.
Në monitorim mbetet qarku i Elbasanit, ku në vendin e quajtur Mal Plak, zjarret kanë rënë kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, duke shkaktuar djegien e mbi 107 hektarëve dhe rreth 100 rrënjë ullinj. Situata problematike është paraqitur dhe në fshatin Dragovoje, të Malësisë së Madhe, ku janë djegur 3 objekte që shërbenin për mbajtjen e bagëtive të imta.