SYRI TV/ Shoqata e të zgjedhurve vendor letër institucioneve: Rama ka uzurpuar pushtetet, riktheni demokracinë
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë i ka dërguar një letër institucioneve evropiane, ku denoncon uzurpimin e pushteteve nga ana e kryeministrit Edi Rama, duke u kërkuar atyre të ndërhyjnë për të rikthyer demokracinë vendore.
Në raportin urgjent drejtuar autoriteteve evropiane, të zgjedhurit vendorë denoncojnë faktin se Edi Rama ka rrëmbyer kompetencat e pushtetit vendor një veprim që është denoncuar edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili deklaroi se opozita do të ndjekë me vëmendje shkeljen e autonomisë vendore nga kreu i qeverisë.
Shoqata, duke denoncuar shantazhet dhe thirrjet antikushtetuese të Edi Ramës, sjell në vëmendje shembuj konkretë që tregojnë se veprimet dhe praktikat ligjore të kreut të qeverisë bien ndesh me ligjet e vendit, si edhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.
I paaftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shkaktuara nga vetë ai, kryeministri po paraqet si përgjegjës të situatës së rëndë pushtetarët vendorë numrin e të cilëve, për nevoja elektorale, vetë e ka dyfishuar, ndërkohë që u ka zeruar kompetencat dhe burimet financiare.
Tashmë është e qartë për të gjithë se qeveria shqiptare ka dështuar në ofrimin e tre shërbimeve publike thelbësore për qytetarët dhe për kërkesat e kohës:
Në shërbimin e ujësjellës-kanalizimeve;
Në mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave dhe mbetjeve urbane;
Në trajtimin dhe përpunimin teknologjik të ujërave të zeza dhe atyre të ndotur.
Tre kompetenca këto që kryeministri ia ka rrëmbyer pushtetit vendor.
Raporti urgjent i të zgjedhurve vendorë u bën thirrje autoriteteve evropiane të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund uzurpimit të kompetencave të tyre nga ana e Edi Ramës, si dhe për të rikthyer demokracinë vendore, decentralizimin dhe vetëqeverisjen lokale në Shqipëri.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa akuzoi Edi Ramën se po sillet edhe si “kryebashkiaku i Shqipërisë”, deklaroi se opozita do të ndjekë nga afër shkeljen e autonomisë vendore nga ana e qeverisë.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama, pasi kërkoi dorëheqjen e disa drejtorëve në bashkitë e vendit, urdhëroi gjithashtu shkarkimin e krerëve të njësive administrative.