‘Thethi, ‘zonë lufte’/ Bardeli: Duket sikur ka rënë bomba, banorët kanë kërkuar legalizim, qeveria indiferente!
Deputetja e PD në Qarkun e Shkodrës, Greta Bardeli e cilëson një situatë të trishtë, atë se çfarë po ndodh në Theth me aksionin e IKMT-s ëdhe Policisë.
Në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri Tv, Bardeli tha se Thethi përngjan me një ‘zonë lufte’ për shkak të grushtit të shtetit që është parë përgjatë një jave në zonë me prishjet masive. Tanimë theksoi ligjvënësja demokrate, 80 % e ndërtesave në Theth janë kthyer në rrënoja, ndërsa shtoi se nuk mungon as presioni dhe trysnia mbi banorët e Thethit në një kohë kur jemi në pikun e sezonit turistik.
Si për t’iu kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, për formalizimin e banesave në Theth, Bardeli theksoi se ka qenë vetë komuniteti që ka kërkuar legalizimin e banesave 500-vjeçare dhe pajisjen e zonës me infrastrukturë, por që nuk ka gjetur mbështetjen e instancave qeverisëse dhe pushtetit lokal.
Sipas Bardelit, qeveria kishte parashikuar me dorën e hekurt t’i shembte ato banesa, ndërsa vetë Rama nuk ka qenë i mëshirshëm me prishjet e ndërtesave.
Bardeli ka dyshime se pas këtij aksioni agresiv të prishjes së banesave, qëndrojnë oligarkët, ndërsa arrogancën e Ramës për t’i prishur e konsideroi një mesazh edhe për të gjithë qytetarët e vendit, se është I gatshëm t’u marrë pronat e tyre për orekse të personave të lidhur me të.
Situata atje s’është aspak e mirë. Ka rrënoja gjithandej. Thethi duket sikur i ka rënë një bombë, e grushtit të shtetit që kemi parë. Shkatërroi çdo biznes e shtëpi. Situata është e trishtë jo vetëm për banorët por edhe turistët, po ndodh në kulmin e sezonit turistik. Ne aty kemi forca IKMT , policore dhe po krijojnë trysni e presion mbi banorët e Thethit. Situata s’është apsak e mirë. Ishte diçka që askush s’ia ka bërë atë që i ka bërë Rama komunitetit thethian.
Policia dhe IKMT është atje. Kanë mbetur dhe disa banesa. Mendohet se vetë pronarët të marrin masa, është një tjetër makabritet që mund t’i bësh atij vendi. Është shkatërruar 80 % e banesave të Thethit që qeveria kishte parashikuar me dorën e hekurt t’i shembte ato banesa. Rama s’ka qenë i mëshirshëm me këto banesa.
Sot kemi mediat dhe çdo gjë është transparente. Është bërë publike në sytë e opinionit jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar. Banorët u ndjenë të prerë në besë, pasi ishte ai që nxiti rininë për t’u rikthyer për të investuar. Biznese që kanë mbi 30 vite që operojnë në atë zonë, paguajnë detyrimet shtetërore, që në orët e para të reprezaljes kanë kërkuar dialog me institucionet qeverisëse dhe pushtetin vendor. Për të diskutuar me ecuri e etapat që do të ndërmerren. Trojet që i kanë trashëguar ndër breza të rikthehen në legalitet dhe të marrin hov turistik. Ato janë banesa mbi 500-vjeçare. Ky komunitet ka kërkuar legalizimin e banesave dhe t’u krijohet infrastrukturë e qenësishme, ujit të pijshëm, energji dhe rrugë.
Në Theth është pamje që mund të shihet në zonat e luftës e s’mund t’ia bësh një komuniteti me tradita zakonore, kishtare, njerëz buajrë që komunikojnë me turistë të ndryshëm. S’ditka kjo qeveri të merret vesh e të komunikojë me këtë komunitet për të vënë rregulla?! S’ka dashamirësi ndaj komunitetit të Thethit, është sms për t’ia përcjellë pjesës tjetër të vendit, për të zaptuar tokat e qytetarëve shqiptarë.
Çdo veprim i tij e ka një prapavijë. Para dy ditëve është paraqitur paketa e maleve, është një ligj që unë e kam kundërshtuar në parlament. Kam folur shumë për zonën e Dukagjinit dhe vëmendjen e qeverisë e pushtetit vendor, prapaskena pas këtij rrënimi të zonës, është i qëllimshëm dhe konkret. Për të marrë tokat e të parëve të dukagjinasve për t’ua dhënë oligarkëve që të investojnë në Theth. Ato toka janë trashëguar e janë të Thethit, u takon vendasve ajo tokë.